LAJMI I FUNDIT:

Vjosa Osmani: Obiliqi nuk sheh dritë nga mashtruesit dhe blerësit e votave

Vjosa Osmani: Obiliqi nuk sheh dritë nga mashtruesit dhe blerësit e votave

“Fitorja në Obiliq e kthen vëmendjen tek potenciali që kjo komunë e posedon. Ju ftoj të gjithë t’i refuzoni mashtruesit, blerësit e votave, sepse Obiliqi nuk do të shohë dritë me ta. Kemi vendosur që Obiliqit dhe gjithë Kosovës t’ia heqim qafe keqpërdoruesit e këtij vendit”, tha të mërkurën kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani.

Sipas njoftimit për media, ajo tha se Qeveria e Lidhjes Demokratike do të jetë qeveri me njerëz me duar të pastra, që lufton krimin dhe korrupsionin dhe sjell perspektivën për të rinjtë tanë.


Vjosa Osmani tha se banorët e Hades nuk duhet të trajtohen në mënyrë çnjerëzore, por duhet të kenë kujdesin maksimal që meritojnë, duke premtuar lidhjen e Obiliqit me sistemin e ngrohjes qendrore të kogjenerimit dhe kujdes maksimal për mjedisin.

Ajo iu tha simpatizantëve në Obiliq, se LDK-ja është alternativa e vetme që garanton zhvillimin ekonomik të Kosovës, mundësi për secilin qytetar dhe kujdes social për shtresat në nevojë.

“Oponentët tanë të frikësuar nga vullneti qytetar për LDK-në, po tentojnë me e ble vullnetin qytetarë, e disa po prodhojnë mashtrime e lajme të rrejshme, po bëjnë  montazha e çka jo tjetër. Por nuk ka qytetarë të këtij vendi që mashtrohen. Le ta dinë që duke shpifur nuk munden me fituar besim qytetar”, shtoi Osmani./Telegrafi/