Vjosa Osmani 'ndez' Mitrovicën, Istogun, Prishtinën e Lipjanin brenda pak orësh

Presidentja e 6-të e Kosovës, dhe kandidatja e LDK-së për mandatin e dytë të presidentes, Vjosa Osmani, gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar një maratonë të jashtëzakonshme tubimesh duke mbledhur mijëra qytetarë në katër qytete të vendit, si Mitrovicë, Istog, Prishtinë e Sllovi të Lipjanit.
Në vendlindjen e saj, Mitrovicën, para të pranishmëve ndër të tjerash ka bërë të ditur se ka marrë garanci se nuk do të luhet me integritetin e Kosovës.
"Si Presidencë kemi arritur të marrim garanci të betonuar se askush nuk do të guxojë t’i prekë kufijtë e Kosovës. Garanci që nuk e kemi pasur nga viti 2008", ka deklaruar Osmani para mitrovicasve.
Tutje, duke sfiduar hapur edhe kundërshtarët e saj politikë lidhur me këtë temë, ajo tha “Prandaj kushdo që mashtron rreth kësaj, le ta marrin guximin që të përballemi në debat. E nga ana ime, edhe me prova se si e kam mbrojtur këtë vend!"
Për këtë vizitë, Osmani ka shkruar edhe në rrjetin e saj social Facebook.
"Mitrovicë, dashni e përjetshme. Qytet i qëndresës dhe i zemrave të mëdha. I njerëzve që nuk dorëzohen kurrë, që e duan vendin e tyre me shpirt dhe që e mbajnë gjallë krenarinë e Kosovës në çdo hap".
Osmani ka vazhduar agjendën e fushatës elektorale në bastionin historik të LDK-së, në Istog, ku ajo dhe kandidati i LDK-së për kryeministër Lumir Abdixhiku janë pritur nga qindra qytetarë.
"Istog, zemra e shpirti i Rugovizmit. Na prini drejt fitores! Një pritje që nuk do ta harrojmë kurrë në jetë! Një motiv për mos t’u ndalur kurrë! Faleminderit Istog!".
Mbrëmja ka rikthyer kandidaten për presidente në kryeqytet, saktësisht në Degën 4, në lagjen Dardania ku ka qenë e stërmbushur me një masë të madhe qytetarësh, të cilët e kanë pritur Osmanin me një energji jashtëzakonisht pozitive dhe entuziazëm.
Ngrohtësinë nga ky takim në Prishtinë, ajo e ka përmbledhur edhe në rrjetin e saj social në Facebook:
"Prishtina e kaltër sonte. Plot energji, plot dashni".
Në përmbyllje të kësaj dite tejet dinamike, Vjosa Osmani ka qëndruar në Sllovi të Lipjanit. Edhe në këtë lokacion, ajo ka zhvilluar një takim të rëndësishëm e të ngrohtë me banorët, duke dëshmuar vendosmërinë për të qenë pranë çdo qytetari në çdo cep të Kosovës deri në momentet e fundit të ditës.










































