LAJMI I FUNDIT:

Viza me pasaportë ilegale trazon ujërat

Viza me pasaportë ilegale trazon ujërat

Më pak se 50 ditë i ndajnë të gjithë qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta biometrike nga lëvizja e lirë në Evropë. Megjithatë një propozim i ri nga Komisioni Evropian, i ka ndarë në dysh qytetarët që jetojnë në Kosovë, të cilët duan të udhëtojnë në kontinentin e tyre.

Mundësia e heqjes së vizave për qytetarët serbë të Kosovës të cilët nuk posedojnë pasaporta të vendit ku jetojnë, por ato që lëshohen nga zyra në Serbi, ka ngjallur polemika të reja në opinionin publik. Ndërkaq, akoma nuk është bërë e ditur ndonjë datë nëse do t’i vihet ose jo vula kësaj çështjeje.

Përderisa në njërën anë nga Qeveria e Kosovës cilësohet si shkelje e sovranitetit të Kosovës dhe e marrëveshjeve të dialogut Kosovë- Serbi, në anën tjetër ky propozim i Komisionit Evropian konsiderohet si mundësi që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të kenë viza. Teksa topi kërcen nga njëra tavolinë në tjetrën, shoqëria civile serbe në Kosovë thonë që ky propozim i integron më shumë serbët në shoqërinë kosovare, nga ana tjetër shoqëria civile në Prishtinë thotë që një gjë e tillë minon integrimin e tyre.

Por, ende nuk është qartë se cila tezë qëndron. Por, çka thuhet në këtë propozim, i cili duhet të kalojë nëpër duart e Parlamentit Evropian dhe shteteve anëtare të BE-së, në mënyrë që të mirret një përfundim?

Propozimi për lëvizje të lirë edhe për bartësit e dokumenteve që i lëshon Beogradi, qeveria letër BE-së: Është i papranueshëm dhe forcon institucionet paralele
Lexo po ashtu Propozimi për lëvizje të lirë edhe për bartësit e dokumenteve që i lëshon Beogradi, qeveria letër BE-së: Është i papranueshëm dhe forcon institucionet paralele

Në prill të këtij viti, Komisioni Evropian kishte theksuar se liberalizimi i vizave i miratuar për Kosovën vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës, dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Drejtorisë Koordinuese. Kjo drejtori  punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Pas tetë muajsh, Komisioni Evropian, me propozimin e ri bie në kundërshtim me veten duke thënë se nuk ekziston asnjë arsye që serbët e Kosovës me këto pasaporta të mos mund të përfitojnë nga liberalizimi i vizave.

Në propozimin e 16 nëntorit të Komisionit Evropian kërkohet ndryshimi i Rregullores së BE-së, në mënyrë që t’i mundësohet lëvizja e lirë edhe bartësve të pasaportave të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese në Serbi. Arsyetimi i dhënë është “që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor duhet të përfitojnë nga udhëtimi pa viza”.

Aty është theksuar që përfshirja e mbajtësve të pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe është konsistente me përpjekjet e BE-së për të përshpejtuar integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Përveç kësaj, në këtë dokument thuhet që rregullorja e ndryshuar do të jetë drejtpërdrejt e zbatueshme nga data e hyrjes së saj në fuqi dhe do të zbatohet menjëherë nga shtetet anëtare. “Asnjë plan zbatimi nuk është i nevojshëm”.

Në pjesën e sqarimit se si pritet të adoptohet ky ndryshim është propozuar që në pjesën 1 të Aneksit II të Rregullores nga: ‘Serbia (duke përjashtuar mbajtësit e pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe të zëvendësohet me ‘Serbia (përfshirë mbajtësit e pasaportat serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe).

Me 18 prill të vitit 2023, Parlamenti Evropian ka miratuar ​Rregulloren 2023/850 – dhe plotësim ndryshimin e Rregullores (BE) 2018/1806 për të shtuar Kosovën në listën e atyre territoreve shtetasit e të cilëve janë të përjashtuar nga posedimi i vizës.

Faktikisht, qytetarët serbë të Kosovës mund të udhëtojnë pa viza nëse posedojnë pasaportë të Kosovës, vendit ku ata jetojnë. Qeveria e Kosovës e vlerëson këtë propozim si të gabuar, pasiqë pikërisht në këtë momentum është rritur numri i tyre për t’u pajisur me pasaporta të Kosovës. Të dhënat e përfolura nga krerët qeveritarë vënë në pah që ka rritje rreth 29%  për aplikim për pasaportë të Kosovës nga serbët, në krahasim me vitin e kaluar.

Përderisa në propozimin e KE shkruan që një ndryshim i tillë është diskutuar me Serbinë dhe Kosovën, Qeveria e Kosovës mohon që të jenë informuar, konsultuar apo diskutuar për një propozim të tillë.

Marrëveshjet mes të Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga BE që nga viti 2013 deri më 2023 njohin autoritetet e Kosovës si të vetmet legjitime që kanë të drejtën e lëshimit të pasaportave për qytetarët e vendit.

Mehdi Sejdiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi tha që vizat e lëshuara nga Qendra Koordinuese nuk janë pjesë e rregullores,  dhe se propozimi i Komisionit Europian është që ato të shtohen si pjesë e rregullores për liberalizim të vizave për Kosovën.

Propozimi për lëvizje të lirë edhe për bartësit e dokumenteve që i lëshon Beogradi, OJQ-të shqiptare u përgjigjen atyre serbe: Reagimi juaj i njëanshëm, Kosova është shtet i pavarur 
Lexo po ashtu Propozimi për lëvizje të lirë edhe për bartësit e dokumenteve që i lëshon Beogradi, OJQ-të shqiptare u përgjigjen atyre serbe: Reagimi juaj i njëanshëm, Kosova është shtet i pavarur 

Sipas tij, këto pasaporta paraqesin rrezik për të dhëna të pasakta dhe shkelje të sigurisë, për të cilat Kosova nuk mund të mbahet përgjegjëse. Kjo pasiqë, këto dokumente nuk i janë nënshtruar kontrolleve të sigurisë që kanë pasaportat e Kosovës dhe as nuk kanë qenë pjesë e përmbushjes së kritereve të sigurisë për dialogun për liberalizimin e vizave të përcaktuara nga Komisioni Evropian.

“Sa ka qenë i hapur procesi për Kosovën, nuk është folë për këto pasaporta fare, por është folë vetëm për pasaporta të Kosovës. Racionalja ka qenë që qytetarët e Kosovës pa dallim entie me pas pasaporta të Kosovës, e jo pasaporta që ka një shtet tjetër”- tha Sejdiu.

Sipas Sejdiut, propozimi i KE-së është një vendim i gabuar dhe mundëson që të ketë implikime politike në terren, por edhe në çështjen e sigurisë së dokumenteve, regjistrit civil.

Ai thotë që gjatë fushatës së liberalizimit të vizave edhe nëpër komunat me shumicë serbe në Kosovë kanë parë rritje të interesimit për pasaporta të Kosovës.

“Po vjen (propozimi) në kontekstin që qytetarët serbë në masë të madhe po pajisen me me pasaporta të Kosovës. Po vjen disi si një sinjal prej Brukselit që mos me u integru serbët në institucione të Kosovës po të vazhdojnë një jetë të ndërmjetmë”- tha ai, duke shtuar që zëvendësministri Bislimi i ka dërguar një letër Komisioneres për Çështje të Brendshme, Ylva Johansson, që nuk e pranojmë një propozim të tillë.

Portali ka kërkuar të dhënat nga Ministria e Punëve të Brendshme se sa qytetarë serbë kanë aplikuar për pasaporta të Kosovës, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Mbi 20 organizata nga Kosova letër Komisionit Evropian: Tërhiqeni propozimin që i lejon udhëtim pa viza serbëve të Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia
Lexo po ashtu Mbi 20 organizata nga Kosova letër Komisionit Evropian: Tërhiqeni propozimin që i lejon udhëtim pa viza serbëve të Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia

Kosova po pret që vendet anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian që ta refuzojnë këtë propozim. Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ftoi Bashkimin Evropian që këto dokumente t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel.

Bislimi konsideron që propozimi të KE-së, për të cilin nuk është diskutuar me Qeverinë e Kosovës, shkel marrëveshjet e dialogut për shuarjen e strukturave ilegale dhe minon integrimin e komunitetit serb në Kosovë.

Sipas tij, pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsiderojnë komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë.

Portali ka kërkuar sqarime edhe nga kabineti i Komisioneres e Ylva Johansson, por nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Serbët nga Kosova kanë edhe të drejtën e pasaportës së Serbisë, e cila ka marrë liberalizimin e vizave në vitin 2009.

Një hap më afër apo më larg integrimit

Një përplasje botëkuptimesh se a do i integroj ose do pengoj një gjë e tillë integrimin e serbëve të Kosovës, është krijuar mes organizatave të shoqërisë civile të vendosura në qendër të Kosovës, me organizatat në veri të vendit.

20 organizata të shoqërisë civile në Kosovë në një letër dërguar Komisioneres e Ylva Johansson, thanë se ky propozim i Komisionit Europian do të sfidojë seriozisht përparimet në integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës.

Përveç kësaj, sipas tyre, do t’i nxisë dhe inkurajojë strukturat kriminale që veprojnë në pjesën veriore të Kosovës që të vazhdojnë me kërcënime e kanosje të qytetarëve serb të Kosovës që synojnë të integrohen në jetën shoqërore dhe politike të vendit.

Nën ombrellën e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, GLPS, kanë vlerësuar që propozimi i KE do ta lëndojë seriozisht qëllimin dhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë të vitit 2023.

Këto marrëveshje bazohen në parimin e respektimit të integritetit dhe sovranitetit të dyanshëm, marrëveshjeve paraprake për largimin nga Kosova të strukturave paralele të shtetit të Serbisë.

Sipas këtyre organizatave, propozimi KE do të mundësojë pranimin e dokumenteve personale të lëshuara nga autoritetet të cilat nuk kanë mundësi as teknike e as ligjore të verifikojnë të dhënat e bartësve të tyre, “rrjedhimisht të vendosë në rrezik gjithë zbatimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”.

Arbëresha Loxha, drejtoreshë ekzekutive në GLPS, tregon se nuk presin që të kenë përgjigje të drejtpërdrejtë nga Unioni Evropian në lidhje me letrën e tyre. Sipas saj, ka sinjale që argumentet e shkruara, janë lexuar dhe po trajtohen në forumet ku merren vendimet.

“Në raste të tilla nuk pritet që institucionet e BE-se të përgjigjen drejtpërdrejtë. Për neve është e rëndësishme që argumentet tona janë lexuar dhe trajtohen në forumet ku merren vendimet, e për këtë kemi sinjale që ka ndodhur”, tha Loxha.

Kundër-reagimi erdhi nga 15 organizata joqeveritare serbe të vendosura në veri të vendit. Ata letrën e shoqërisë civile të Kosovës e konsideruan fyese dhe të paqëndrueshme.

“Nuk do të integrohen më shumë serbë të Kosovës nëse pajisen me pasaporta të Kosovës sesa numri i atyre që tashmë kanë nënshtetësi të Kosovës. Kjo rrjedh nga fakti se pasaporta nuk mund të merret pa letërnjoftim dhe vërtetim të shtetësisë. Me fjalë të tjera, një person që merr një pasaportë të re tashmë ka shtetësinë dhe kështu është tashmë i integruar”- kanë renditur ata në listën e aregumenteve.

Nëse një azilkërkues ose person që shkelë rregullat e liberalizimit të vizave për Kosovën në vendin pritës, me këtë pasaportë është e paqartë nëse personi duhet të riatdhesohet në Serbi, e pastaj prej Serbisë personi dërgohet në Kosovë pasi Kosova nuk ka marrëveshje me Serbinë për këtë çështje.

Përfaqësuesi i njërës nga organizatat e veriut, Miodrag Miliçeviq nga organizata AKTIV thotë që reagimet e OJQ-ve të Kosovës tingëllon si një kërkesë politike dhe jo si kërkesë që do t’i ndihmonte serbët e Kosovës të gëzojnë të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe mekanizmat e ndryshëm ekzistues.

Letrën e këtyre organizatave, Miliçeviq e sheh si pjesë e një diskursi më të gjerë mbi barazinë që mohon të drejtat e garantuara me Ligjin për Shtetësinë në Kosovë.

Për Miliçeviq, kjo letër ishte befasi. Sipas tij, letra shpërfill disa fakte shumë të rëndësishme. Miliçeviq konsideron të rëndësishme Marrëveshjen ndërmjet Komisionit Europian dhe Serbisë e arritur në vitin 2009, e cila rregullon lëshimin e dokumenteve të udhëtimit për shtetasit serbë me vendbanimin e saj.  Ndërsa, fakt të dytë ai e konsideron mohimin e qasjes në shtetësi.

“Injorimi i këtyre dy elementeve faktike mund të përjashtojë të drejtat e komuniteteve për barazi dhe për më tepër përjashton lirinë e lëvizjes së atyre që u mohohet shtetësia në Kosovë”,tha ai.

Sipas tij, bazuar në një analizë të organizatës që drejton, 92% e serbëve të Kosovës kanë dokumente të Kosovës. Me këtë ai përfundon që integrimi teknik tashmë është arritur.

Nga ana tjetër, iniciativat që perceptohen si të njëanshme ose që favorizojnë padrejtësisht një komunitet mbi një tjetër, mund të përkeqësojnë tensionet ekzistuese dhe të thellojnë ndarjet ndërmjet komunitetit serb dhe atij shqiptar.

Vendimi për liberalizimin e vizave ka marrë dritën e gjelbër nga të gjitha instancat e Bashkimit Evropian dhe është nënshkruar më 19 prill 2023 nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola dhe nga ministrja e Suedisë, Jessika Roswall, e cila e përfaqëson Këshillin e Bashkimit Evropian.

Ky vendim shënoi hapin e fundit e procesit të liberalizimit të vizave, i cili ka zgjatur më shumë se 10 vite prej kur ka filluar dialogu për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Sipas vendimit, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

Derisa ETIAS nuk është ende në funksion, qytetarët e Kosovës me pasaportë do ta kenë të drejtën e udhëtimit pa viza nga 1 janari.  Ndërsa në momentin që është plotësisht operativ dhe funksionon, sistemi ETIAS do të vlejë për të gjitha shtetet që nuk kanë viza për të hyrë në zonën Schengen, përfshirë edhe Kosovën.

Shqetësimet e sigurisë me terrorizmin dhe krizën e emigrantëve të shpërfaqura më dukshëm viteve të fundit në Evropë kanë bërë që të  krijohet një menaxhim më të mirë, ETIAS, në mënyrë që të kontrollohet se kush po hyn në kufijtë e BE-së.

Secili aplikant duhet t’i nënshtrohet një kontrolli të detajtuar të ETIAS për të përcaktuar nëse ata mund të hyjnë në zonë Shengen. Hapat për të aplikuar për ETIAS janë plotësimi i formularit  euro dhe pritja për konfirmim.

OJQ-të serbe mbështesin heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës me pasaporta serbe
Lexo po ashtu OJQ-të serbe mbështesin heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës me pasaporta serbe

Gjatë këtij aplikimi nuk lejohet të ofrohen informata të rreme pasi që sistemi është i lidhur me shumë baza të dhënash për verifikim, dhe nëse të dhënat e ofruara janë të rreme, do të revokohet ETIAS-i i personit në fjalë.

Shpeshherë, ETIAS ngatërrohet me vizën, gjëra që nuk janë të njëjta. Për vizë duhet të paguhen tarifa, dhjetëra dokumente, duhet të pritet me javë për një përgjigje, mbushja e aplikacionit merr shumë kohë. Ndërkaq, për ETIAS, procesi është lehtë i zbatueshëm, pasi që nuk ka shumë procedura burokratike: paguhen vetëm 7 euro tarifë për të rritur dhe procedurat janë të gjitha online.

Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen. Për çdo shkelje të mundshme, si punë, studime apo shkelje e afatit kohor për qëndrim në vendet evropiane, pasojnë masa ndëshkuese.

Historiku i heqjes së vizave

Komisioni Evropian nisi dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012.

Në qershor 2012, Komisioni i paraqiti Kosovës një Udhërrëfyes për Liberalizimin e Vizave, i cili identifikoi legjislacionin dhe masat institucionale që Kosova duhej të miratonte dhe të zbatonte për të avancuar drejt liberalizimit të vizave.

Udhërrëfyesi përcaktonte një listë gjithëpërfshirëse të reformave, duke përfshirë ri-integrimin dhe ripranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe të migracionit, azilin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.

Komisioni ka miratuar 4 raporte për progresin e arritur nga Kosova në dialogun për vizat, si dhe ka paraqitur propozimin e tij për heqjen e kërkesave për viza për qytetarët e Kosovës më 4 maj 2016.

Propozimi u bazua në arsyetimin se deri në kohën kur propozimi të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, Kosova do ta kishte ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe do të forconte arritjet e saja në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pra dy standardet përfundimtare.

Kosova arriti që pas shumë seancash me gazë lotsjellës e kundërshtime të ratifikoi marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi. Mirëpo qytetarët e Kosovës, të vetmit në rajon, nuk e patën mundësinë të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen.

Në raportin e vitit  2018 u konfirmua përmbushja e të gjitha kritereve. Bazuar në këtë raport, me ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi më 21 mars 2018 është përmbushur edhe njëri nga dy kriteret e mbetura.

Raporti i fundit konfirmoi se Kosova vazhdon të përmbushë të gjitha kriteret e tjera të përcaktuara në Udhërrëfyesin e Liberalizimit të Vizave në lidhje me ri-pranimin dhe ri-integrimin, sigurinë e dokumenteve, migrimin dhe menaxhimin e kufijve, rendin dhe sigurinë publike dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.

Qeveria e Kosovës me 12 gusht 2022 ka dërguar një raport të përditësuar teknik tek Komisioni Evropian me theks në arritjet në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionin e krimit të organizuar, riatdhesimin, menaxhimin e azilit e migrimit. Pas vlerësimit pozitiv të këtij përditësimi presidenca Çeke e ka vendosur në agjendën e Këshillit në grupin punues të vizave, duke e zhbllokuar procesin i cili kishte ngelur i bllokuar për 4 vite. /KALLXO.com/