LAJMI I FUNDIT:

Viti 2023 – Viti i Afrim Bunjakut

Viti 2023 – Viti i Afrim Bunjakut

Ka 20 vjet që punoj në media. Ka 20 vjet që më ka rastisur të punoj me zyrtarë të ndryshëm të Policisë së Kosovës.

Ne, gazetarët, jemi të ‘mishëruar’ me punën e tyre dhe ata me punën tonë. Kuptohemi lehtë e mirë. Raportojmë dhe ata na ofrojnë siguri dhe na japin informata në situata të ndryshme.


Gjatë tërë përvojës time profesionale në media, kam punuar edhe me policë të trafikut edhe me njësitet anti-drogë, anti-krim e anti-kontrabandë – që nga veriu e deri në lindje të Kosovës. Andaj, mund ta kuptoj rolin dhe përgjegjësinë e çdo zyrtari policor.

Në kohën kur nuk mund të paramendohej se një zyrtar nga institucionet e sigurisë do të vritej shkaku i mbrojtjes së integritetit territorial e kushtetues të vendit, kjo ndodhi në muajin shtator të vitit 2023. Vdekja e tij na kujton sërish vështirësitë e Kosovës si shtet i pavarur; na kujton Heroin e Kosovës – policin Enver Zymberi që u vra në veri të vendit në vitin 2011; na kujton sakrificën e të gjithë anëtarëve të organeve të rendit dhe të familjarëve të tyre.

Rreshteri Afrim Bunjaku ka rënë në krye të detyrës; ishte viktimë e sulmit terrorist të organizuar nga grupet terroriste serbe në veri të Kosovës të udhëhequra nga Milan Radoiçiqi, dhe kjo padyshim është ngjarja e vitit jo si diçka pozitive, por si rast që do të kujtohet gjithmonë në historinë e Kosovës së pavarur.

Si gazetar nuk mund të mos përmendi edhe sulmet e shumta ndaj kolegëve gjatë raportimit nga pjesa veriore e vendit, si qytetar liberalizimin e vizave për Kosovën që hyn në fuqi nga data 1 janar 2024, si njeri zhvillimet e shumta pozitive e negative që kanë ndikim tek e ardhmja e fëmijëve të mi. Por, në këtë fundvit, mendoj se asgjë nuk vlen të përmendet më shumë se Heroi tashmë i shpallur I Kosovës, Afrim Bunjaku.

Pra, le të jetë ky viti i kujtesës për Afrim Bunjakun. /Telegrafi/