LAJMI I FUNDIT:

Viets: Vendimmarrësit duhet të marrin në konsideratë deklaratën e NATO-s, për FSK-në

Viets: Vendimmarrësit duhet të marrin në konsideratë deklaratën e NATO-s, për FSK-në

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, ka thënë se raportet e Kosovës me Serbinë janë jashtëzakonisht të rëndësishme.

Pavarësisht provokimeve, thotë ajo, në kuadër të dialogut për normalizim tani prioritet është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.


“Qytetarëve u duhen shpjeguar përfitimet, të cilat dalin për Kosovën nga procesi i normalizimit”, vlerëson Viets.

Viets, në një intervistë për RTKLive, ka folur edhe rreth marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, duke thënë se debati për ratifikimin e kësaj marrëveshje, është polarizuar së tepërmi.

“Shumë vëzhgues pajtohen se arsyeja nuk qëndron aq shumë tek përmbajtja e marrëveshjes, por që në sfond të kësaj ka shoshitje që ndërlidhen me pushtetin politik. Marrëveshja për demarkimin e kufirit, e arritur pas plot tre vjet pune është shqyrtuar disa herë”, ka thënë Viets.

“Përfundimi i qartë i të gjitha shqyrtimeve ka qenë që Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit, e cila tashmë është ratifikuar nga ana e Malit të Zi, ka qenë korrekte. Veç kësaj Marrëveshja e Demarkacionit të kufirit është një marrëveshje ndërkombëtare që e forcon statusin e Kosovës dhe sovranitetin e saj. Do të dëshironim shumë për qytetarët e Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejtë dhe që me këtë të eliminohej pengesa kryesore në rrugën drejt liberalizimit të vizave”, ka thënë ambasadorja gjermane.

Ajo ka folur edhe rreth kërkesës nga ana e presidentit Thaçi dhe të akterëve të tjerë që FSK-ja të shndërrohet në Ushtri.

Siç ka thënë ajo, definimi i mandatit dhe strukturës së FSK-së është vendim sovran i Kosovës.

Megjithatë, sipas saj, çdo ndryshim do të duhej të bëhej në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe nëpërmjet një procesi transparent politik, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha palët.

“Vendimmarrësit duhet të marrin në konsideratë deklaratën e NATO-s, sipas të cilës NATO-s do t’i duhej ta rishikonte nivelin e angazhimit, në veçanti për sa i përket ndërtimit të kapaciteteve të FSK-së, në qoftë se miratohet draftligji i propozuar. Ne jemi të brengosur që ky propozim e pengon bashkëpunimin e Kosovës me NATO-n dhe e ngadalëson procesin e normalizimit”, ka thënë Viets.

Ndër tjerash ajo ka deklaruar se Gjermania është zotuar për ta mbështetur Kosovën me rreth 46 milionë euro për vitet 2016 dhe 2017 në zhvillimin e gjithanshëm të vendit. /Telegrafi/