LAJMI I FUNDIT:

Veteranët paralajmërojnë Qeverinë: Javën e ardhshme protestojmë

Veteranët paralajmërojnë Qeverinë: Javën e ardhshme protestojmë

Ndonëse kishin marrë premtime nga Qeveria e Kosovës për realizimin e kërkesave të tyre në një kohë sa më të shkurtër, veteranët e luftës së fundit në Kosovë, thonë se u mashtruan nga Qeveria. Që prej ditës kur u takuan me qeveritarët, veteranët tregojnë se më nuk është bërë as edhe një hap tutje në realizimin kërkesave të tyre. Ata thonë se u gënjyen nga Qeveria vetëm sa për të evituar protestat e mundshme.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve, Xhevdet Qeriqi në një përgjigje me shkrim për KosovaPress tha se nëse gjatë kësaj jave nuk do të ketë veprime konkrete nga ana e Qeverisë së Kosovës lidhur me kërkesat e veteranëve, atëherë nga fillimi i javës së ardhshme do të ketë protesta.


“Ne patëm planifikuar që protestën e radhës ta mbajmë të premten e javës së kaluar por dy ditë ma herët ministri Abrashi në një prononcim tha se nga kjo javë do të fillojnë të nxirren Udhëzimet Administrative që i hapin rrugë zbatimit të ligjit për veteranët, për të drejtën në pension, për një pjesë të cilët nuk po arrijnë ta gëzojnë këtë të drejt dhe ne pas këtij deklarimi e kemi shtyrë protestën. Nëse gjatë kësaj jave nuk do të ketë veprime nga ana e qeverisë në këtë drejtim, atëherë në javën e ardhshme sigurt do të kemi protestë. Pra, protesta do të ndodhë në fillim të javës së ardhshme”, tha Qeriqi për KosovaPress.

Ai paralajmëroi se më nuk do t’u besojnë premtimeve të Qeverisë, pasi që ato po bëhen vetëm sa për t’iu shmangur protestave.

Qeriqi tha se duke pasur parasysh gjendjen e rëndë ekonomike të veteranëve të luftës, situata në protesta mund të eskaloj dhe për këtë nuk garanton askush.

“Po ne do të bëjmë maksimumin që protesta të jetë e qetë dhe e arsyeshme por asnjëherë nuk mund të garantojmë që nuk mund të eskaloj protesta, sepse veteranët po përballen me shumë probleme dhe padrejtësi gjatë këtyre viteve prej përfundimit të luftës e deri më sot. Po ashtu po përballen me një jo seriozitet nga ana e qeverisë në raport me ta”, tha ai.

Ndryshe, veteranët e luftës së fundit në Kosovë po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës nxjerrjen e një Udhëzimi Administrativ për formimin e një komisioni mjekësor për përcaktimin e shkallës të invalidit të UÇK-së për një pjesë të invalidëve të cilët nuk ju kanë nënshtruar këtij komisioni më herët.

Kërkesa e dytë e tyre është që të kryhen obligimet e Qeverisë ndaj veteranëve të cilëve u ka mbetur borxh nga muaji tetor i vitit të kaluar si dhe komisioni qeveritar ta përmbyll punën për njohjen e statusit të veteranit të UÇK-së. Për këtë të fund ata shprehen se është e pakuptimtë që ky komision të vazhdoj punën më tutje, shkaku i informacioneve që po bëhen rreth manipulime me listat e veteranëve.

Përfaqësues të veteranëve të luftës më datën 6 shkurt 2016, janë takuar me kryeministrin Isa Mustafa, ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi si dhe me ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Hashim Thaçin, nga të cilët patën marrë premtime për realizimin e kërkesave të tyre. Deri sot, kanë kaluar 52 ditë që prej këtij takimi dhe veteranët e luftës thonë se nuk u janë realizuar kërkesat e tyre.