LAJMI I FUNDIT:

Vetëm mbrëmë në Kosovë tri grabitje me armë dhe një tjetër në tentativë

Vetëm mbrëmë në Kosovë tri grabitje me armë dhe një tjetër në tentativë
Foto: Ilustrim

Gjatë ditës së djeshme kanë ndodhur tri grabitje në qytete të ndryshme të Kosovës, ndërsa një tjetër grabitje ka mbetur në tentativë.

Policia e Kosovës njofton se të dielën në orët e mbrëmjes se dy punëtore-arkëtare në një market, në rrugën ‘Isa Kastrati” në Prishtinë, kanë njoftuar se pesë persona të dyshuar e të maskuar (katër të armatosur me thika, kurse një me armë-revole) nën kërcënimin e armës kanë grabitur të hollat nga arka e marketit, shuma nuk dihet dhe janë larguar në këmbë në drejtim të panjohur, ndërsa viktimat si pasojë e shqetësimit kanë marrë tretman mjekësor.


Rasti i dytë ka ndodhur po mbrëmë në rrugën “Dardania” në Fushë Kosovë, ku dy persona të dyshuar e të maskuar, të armatosur me armë të shkurta, nën kërcënimin e armës kanë grabitur të hollat nga arka e marketit dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

Ndërsa, rasti i tretë ka ndodhur në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku një punëtor-kamerier në një “Fast Food”, ka njoftuar se derisa po kthehej nga puna në shtëpi, një person i dyshuar dhe i panjohur në kokë mbante një kapelë dhe një shall mbështjell për fytyrë e kishte sulmuar duke e futur në një rrugë të pa ndriçuar, me ç’rast kishte arritur t’i grabis  para të gatshme të pazarit ditor dhe të largohet në këmbë në drejtim të panjohur.

E një tentim grabitje ka ndodhur në Rahovec, ku sipas dy punëtorëve të sigurimit në objektin e një marketi, katër persona të dyshuar e të maskuar nën kërcënimin e armëve të gjata, kanë depërtuar brenda me forcë përmes dyerve kryesore të marketit por nuk kanë arrit të kryejnë grabitjen.

Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur  me një automjet me tabela huaja. Nuk raportohet për të lënduar. /KP/

Foto: Ilustrim