Abrashi konfirmon Haxhiun për kryetare të Kuvendit: Së pari konstituimi, pastaj vazhdojmë me të tjerat

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, tha para fillimit të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, se fillimisht duhet të përfundojë konstituimi i Kuvendit dhe më pas të vazhdohet me çështjet e tjera.
“Ta shohim njëherë, le të kryhet Kuvendi, le të votohet kryetarja, le të konstituohet kryesia, pastaj vazhdojmë rrjedhën edhe për të tjerat”, ka thënë Abrashi.
I pyetur nëse Albulena Haxhiu do të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit, Abrashi është përgjigjur duke pohuar.a
“Po, po, Albulena”, tha ai.
Sot do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, pasi në dy tentime paraprake në muajin gusht, LVV-ja kishte kërkuar kohë për të arritur marrëveshje politike për çështjen e presidentit.
Ndërkohë, KosovaPress ka mësuar nga burime brenda LVV-së se ka ende pikëpyetje nëse sot do të formohet edhe qeveria e re.
LVV dhe LDK më 31 gusht kishin arritur marrëveshje që Bekim Sejdiu të propozohet për president të vendit. Këto dy parti, bashkë me minoritetet jo-serbe, i kanë 80 vota të nevojshme për ta zgjedhur presidentin.
Mirëpo, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-së më 1 shtator u bë e ditur se gjashtë deputetë të kësaj partie nuk do të mundësojnë zgjedhjen e Sejdiut për president.
Pavarësisht kritikave se Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit tridhjetëditor, PDK dhe LDK kanë konfirmuar se deputetët e tyre do të jenë të pranishëm në Kuvend. /KP/






































