LAJMI I FUNDIT:

Vetëm dje, në Kosovën ndodhën tri aksidente me fatalitet

Vetëm dje, në Kosovën ndodhën tri aksidente me fatalitet

Policia e Kosovës ditë më parë u ka bërë apel të gjithë ngasësve të veturave që të rrisin kujdesin në komunikacion. Kjo për shkak se është shpeshtuar numri i aksidenteve, ku disa prej tyre kanë përfunduar edhe me fatalitet.

Vetëm gjatë ditës së djeshme, tre persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në komunikacion.


Mbrëmë një i mitur ka humbur jetën në një vet-aksident të ndodhur rreth orës 23:21 në afërsi të shkollës fillore, në fshatin Gllogjan të Pejës.

Po mbrëmë, një 25-vjeçar me inicialet D.R ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në komunikacionin rrugor, i cili ka ndodhur rreth orës 22:45 në rrugën “UÇK” në Pejë.

Ndërsa, një femër ishte lënduar rëndë në një aksident trafiku në Istog, ku e njëjta nuk ka arritur të mbijetojë pasi është dërguar për tretman në QKUK.

E në fshatin Sharban të Prishtinës, pasditen e djeshme si pasojë e një aksidenti gjashtë persona janë lënduar, në mesin e tyre ngasësi i veturës. Të njëjtit sipas Policisë së Kosovës janë dërguar për tretman në QKUK.

Pasditen e djeshme në rrugën magjistrale të Ferizajit një person është vet-aksidentuar, dhe i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

Edhe në fshatin Planqor të Gjakovës, po gjatë ditës së djeshme policia ka njoftuar se nga humbja e kontrollit mbi veturë, ka pësuar lëndime trupore ngasësi dhe dy pasagjerë të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor.

Një tjetër aksident ka ndodhur në fshati Pasom të Vushtrrisë, mes dy automjeteve, me ç’rast lëndime trupore kanë pësuar dy ngasësit. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

Edhe në Leposaviq një femër ka pësuar lëndime trupore, ku për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës, ngasësi i veturës ka humb kontrollin mbi veturë dhe është përplasur me rrethojën e rrugës. /KosovaPress/