LAJMI I FUNDIT:

Veseli: Vitinë do ta kthejmë nga komunë burokratike në zhvillimore (Foto)

Veseli: Vitinë do ta kthejmë nga komunë burokratike në zhvillimore (Foto)

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, në një tubim elektoral në Viti ka thënë se dita e ndryshimit për këtë komunë po afron.

Ai ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës është gati për fitoren e madhe më 22 tetor në shumicën e komunave të Kosovës.

“Partia Demokratike e Kosovës është gati për fitoren në Viti me Besim Halimin kryetar dhe këtë ekip të shkëlqyeshëm për Kuvendin Komunal të Vitisë”, ka thënë ai.

I pari i PDK-së ka thënë se Besim Halimi  i njeh më së miri problemet e Vitisë.

“Ka katër vjet që Vitinë e kanë lënë në harresë”, ka thënë Veseli.

Me Besim Halimin kryetar, ai ka thënë se do ta kthejnë Vitinë nga komunë burokratike në komunë zhvillimore.

“Vitia ka nevojë për zhvillim dhe këtë zhvillim e sjell vetëm qeverisja e Partisë Demokratike të Kosovës”, ka thënë Veseli.

Ndërsa, kandidati i PDK-së për Kryetar të Vitisë, Besim Halimi, ka premtuar se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të Komunës së Vitisë.

Ai ka thënë se prioritete të tij në mandatin e ardhshëm qeverisës jenë depolitizimi dhe ndërtimi i administratës efikase komunale, ofrimi i arsimit cilësor, konsolidimi i shërbimeve shëndetësore, kompletimi i infrastrukturës rrugore, zhvillimi i gjithëmbarshëm ekonomik, mbështetja e projekteve në fushat e kulturës, rinisë e sportit.

Kandidati i PDK-së për të parin e Vitisë ka premtuar se do të angazhohet veçanërisht që përmes arsimit profesionale të gjenerojë punësim për të rinjtë e Vitisë.

Halimi ka premtuar se ndërtimi i shkollës së re në Pozharan do të kryhet më 2018, kurse do të hapen edhe 5 klasë parafillore në Komunën e Vitisë.

Ai ka premtuar se do t’i rrisë subvencionet në bujqësi, nga 30 mijë në 100 mijë euro, do të investojë rreth 1 milion e 700 mijë euro për sistemin e ujitjes në fshatra, do t’u japë ndërmarrësve në shfrytëzim tokën publike me parametra zero në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe të uljes së ndjeshme të papunësisë.