LAJMI I FUNDIT:

Veseli fillon vizitën zyrtare në Kroaci, takon homologun e tij Jandrokoviq dhe kryeministrin Plenkoviq (Foto)

Veseli fillon vizitën zyrtare në Kroaci, takon homologun e tij Jandrokoviq dhe kryeministrin Plenkoviq (Foto)

E plotësuar: Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në kuadër të vizitës së tij zyrtare që po zhvillon në Kroaci, është pritur sot në takim nga Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Veseli dhe Kryeministri Plenkoviq diskutuan për raportet e shkëlqyera që dy shtetet tashmë kanë ndërtuar midis tyre dhe miqësinë e thellë midis popullit të Kosovës dhe atij të Kroacisë.


“Kryeparlamentari Veseli falënderoi Kryeministrin kroat për rolin e Kroacisë në sigurinë e Kosovës, duke kontribuar me prezencën ushtarake në KFOR, si dhe për bashkëpunimin dhe mbështetjen që po i jep FSK-së.

Veseli e konsideroi të nevojshëm vazhdimin e mbështetjes së shtetit kroat për fuqizimin e shtetësisë së Kosovës si faktor paqeje, bashkëpunimi dhe integrimi në BE dhe NATO”, thuhet në njoftim.

Kryetari i Kuvendit ritheksoi rëndësinë e nënshkrimit të dokumentit për Partneritet Strategjik me Kroacinë, ndërsa ftoi investitorët kroatë për prezencë më të madhe në tregun e Kosovës.

“Ligjet e Kosovës janë të favorshme dhe tashmë është edhe korniza e marrëveshjeve që i lehtësojnë këto investime. Kemi shumë mundësi bashkëpunimi ndër shtetëror në fushën e ekonomisë. Me kryeministrin diskutuam për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, konkretisht për rihapjen e Zyrës Ekonomike të Kroacisë në Kosovë dhe mundësinë e lëshimit të linjës ajrore Zagreb-Prishtinë”, ka thënë Veseli.

Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit, kreu i Kuvendit të Kosovës theksoi idenë për hapjen e Katedrës së Gjuhës Kroate në Prishtinë dhe asaj Shqipe në Zagreb, ndërsa në fushën e shëndetësisë e konsideroi të vyer përvojën kroate në menaxhimin e spitaleve dhe sigurimet shëndetësore.

Në takim me kreun e Qeverisë kroate, u diskutua edhe për pozitën e shqiptarëve në Kroaci, por edhe të kroatëve në Kosovë. Veseli konfirmoi angazhimin e tij për përmirësimin e standardit të jetesës së kroatëve në vendbanimet e tyre në Kosovë.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, nga ana e tij, shprehu kënaqësinë për arritjet e Kosovës në shumë fusha, ndërsa konfirmoi përkushtimin e Zagrebit zyrtar për t’i ofruar Kosovës gjithë mbështetjen e mundshme në rrugën drejt zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik. /Telegrafi/

………………..

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka filluar vizitën zyrtare në Kroaci, me pritjen shtetërore nga Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq.

Të dy homologët biseduan për raportet e mira që Parlamentet e të dyja vendeve kanë ndërmjet tyre, ndërsa u shtrua nevoja që ky bashkëpunim të thellohet dhe avancohet edhe më tej në të gjitha nivelet e jetës parlamentare, posaçërisht në sferën e diplomacisë parlamentare.

“Në funksion të kësaj Veseli e njohu homologun kroat me formimin e Grupit të Miqësisë Kosovë-Kroaci në Kuvendin e Kosovës.

Veseli shprehu interesimin për fuqizimin e bashkëpunimit në sferën e zbatimit të MSA-së, me ç’rast çmoi rolin e Tonin Picula, si raportues dhe eurodeputetëve kroatë si mbështetës të këtij procesi”, thuhet në njoftimin për media.

Kreu i Kuvendit tha se Kosova mund të përfitojë shumë nga përvoja kroate në fushën e zhvillimit ekonomik dhe institucional, e sidomos në sferën e integrimit europian.

“Kroacia është partner i Kosovës në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian. Ka qenë një nga përkrahësit e parë të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Ne presim edhe më shumë përkrahje nga Kroacia, veçanërisht në procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian, pasi është një rrugëtim që shteti kroat me sukses e ka kaluar. Kosova ka mundësi të merr edhe përvoja parlamentare nga Kroacia por edhe në shumë fusha tjera. Ne do të intesifikojmë raportet tona si dy shtete mike”, tha kryeparlamentari Veseli.

Po ashtu, Veseli e konsideroi të rëndësishme mbështetjen e Kroacisë në lobimin që po bën Kosova në kërkim të njohjeve të reja, anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe pjesëmarrje në konferenca të ndryshme ndërkombëtare.

Gjatë këtij takimi, Kryetari i Parlamentit kroat, Jandrokoviq, shprehu dëshirën për thellimin e bashkëpunimit midis dy Parlamenteve, intensifikimin e marrëdhënieve ndër-parlamentare dhe njëkohësisht shprehu gatishmërinë për mbështetjen e Kosovës në proceset e saj zhvillimore dhe integruese.

Gjatë qëndrimit në Parlamentin kroat, kryeparlamentari Veseli i shoqëruar nga homologu i tij kanë ndjekur nga afër edhe punimet e seancës plenare, ndërsa kryesuesi i seancës dhe deputetët e kanë falënderuar kreun e Kuvendit të Kosovës për vizitën në Kroaci. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Uji depërtoi në shtëpitë e tyre - banorët e lagjes

Uji depërtoi në shtëpitë e tyre - banorët e lagjes "Prishtina e Re" tregojnë për pasojat pas reshjeve të shiut

Elfije Boletini
Zyrtarja tjetër e DASH-it në Kosovë, Hovenier: Në fokus çështjet kritike për marrëdhëniet tona

Zyrtarja tjetër e DASH-it në Kosovë, Hovenier: Në fokus çështjet kritike për marrëdhëniet tona

Lajme
Dy gra u martuan te Bashkia e Tiranës, Malaj: Kundër veprimeve që e tejkalojnë ligjin

Dy gra u martuan te Bashkia e Tiranës, Malaj: Kundër veprimeve që e tejkalojnë ligjin

Lajme
Aksident i rëndë trafiku në Prishtinë mes një veture dhe dy motoçikletave

Aksident i rëndë trafiku në Prishtinë mes një veture dhe dy motoçikletave

Kronika e Zezë
Martesa e dy vajzave në bashkinë e Tiranës, ligji shqiptar nuk lejon martesa të së njëjtës gjini, reagon Kisha Katolike

Martesa e dy vajzave në bashkinë e Tiranës, ligji shqiptar nuk lejon martesa të së njëjtës gjini, reagon Kisha Katolike

Lajme
Tre të lënduar nga aksidenti që ndodhi te

Tre të lënduar nga aksidenti që ndodhi te "kafet e vogla" në Prishtinë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori