LAJMI I FUNDIT:

Veseli: Demarkacioni votohet gjatë kësaj jave

Veseli: Demarkacioni votohet gjatë kësaj jave

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli është shprehur i bindur se këtë javë do të ratifikohet Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.

“Kjo do të jetë java vendimtare e përfundimit të dramës së ratifikimit të marrëveshjes së shënimit të kufirit me Malin e Zi. Është një temë e cila është duke i shqetësuar qytetarët e Kosovës. Qytetarët e meritojnë që kjo çështje të zgjidhet definitivisht. Jemi duke punuar intensivisht dhe mund të them se gjatë kësaj jave do ta kemi përfundimin e kësaj drame. Falënderoj të gjithë faktorët politikë. Ka një konsensus, duhet edhe pak përkrahje, por besoj shumë fuqishëm se brenda javës do ta përfundojmë”, ka theksuar Veseli për RTK-në.


Sa i përket ndonjë marrëveshje edhe me Lëvizjen Vetëvendosje dhe me Listën Serbe, kryeparlamentari Veseli ka thënë se janë duke u zhvilluar kontakte intensive.

“Mund të them se që nga java e kaluar kemi kontakte të përditshme, çdo orë me partnerët tanë qoftë nga koalicioni, qoftë nga opozita dhe i falënderoj për korrektësinë. Besoj shumë që do ta arrijmë konsensusin në mënyrën që ta përfundojmë këtë dramë, e cila i ka shqetësuar qytetarët dhe që po i mban të bllokuar. Qëndrimi im dhe i PDK-së për këtë çështje ka qenë i qartë, por tashmë ka ardhur momenti ta përfundojmë këtë temë dhe do ta përfundojmë bashkërisht këtë javë. Javën e ardhshme Këshilli Evropian do të mbajë një takim dhe ne duhet të zëmë afatet të cilat ndërlidhen me çështjen e madhe për qytetarët tanë – liberalizimin e vizave. Vendimi ynë këtë javë do të thotë një shpresë e madhe për qytetarët tanë që të lëvizin lirshëm në fund të këtij viti me liberalizimin e vizave, kështu që angazhimi im është që kjo çështje të kryhet këtë javë”, ka shtuar tutje Veseli.

Ai ka theksuar se ka një vullnet plebishitar të qytetarëve dhe askush nuk ka të drejtë t’i mbajë ata të bllokuar.

“Askush nga ne nuk ka të drejtë t’i mbajë të zhgënjyer dhe të izoluar dhe ne do ta votojmë demarkacionin, sepse kjo është në interes të qytetarëve, është interes i sovranitetit tonë dhe e them edhe një herë jemi në tone shumë optimiste në përfundimin e konsensusit”, ka nënvizuar kryeparlamentari./Telegrafi/