LAJMI I FUNDIT:

Veriu refuzon regjistrimin bujqësor

Veriu refuzon regjistrimin bujqësor

Projekti i regjistrimit të bujqësisë, i cili ka filluar më 1 nëntor, është duke shkuar mirë dhe sipas planifikimeve të parapara. Ky procesi përgjatë këtyre ditëve, është përcjellë me probleme të vogla teknike, Ai po refuzohet edhe nga katër komunat veriore: Mitrovica e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, të cilat janë të banuara kryesisht me serbë.
Kështu u tha në një konferencë për media të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ku u njoftua lidhur me ecurinë e projektit në fjalë, i cili përfundon më 20 nëntor.
Kryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi tha se edhe problemet e vogla teknike me të cilat janë përballur gjatë këtyre ditëve janë tejkaluar.

“Procesi i regjistrimit është duke shkuar më mirë se sa që kemi planifikuar, në aspektin e krahasimit me disa rreziqe që i kemi planifikuar. Pra, nuk kemi probleme të mëdha, përjashtim kemi këtu mos pjesëmarrjen e katër komunave në veri të Kosovës, të cilat nuk janë duke marrë pjesë në këtë regjistrim të bujqësisë. Ndërsa, tek 34 komunat e tjera në Republikën e Kosovës, procesi i regjistrimit të bujqësisë është duke shkuar jashtëzakonisht mirë”, tha ai.


Sa i përket procesit të përgatitjes për regjistrimin e bujqësisë, ai theksoi se planifikimi është bërë për të gjitha komunat, duke përfshirë dhe katër komunat në veri të vendit, të cilat tani për tani, nuk po marrin pjesë në këtë regjistrim. “Nuk është thënë decidivisht, që nuk marrin pjesë, për këtë arsye apo atë arsye, për të cilën ne nuk jemi të thirrur të flasim në emër të tyre. Arsyet mund t’i japin ata. Por na është thënë se duhet me u shty ky proces. Ne kemi vazhduar në komunat tjera. S’kemi mundur me rreziku projektin me anë të pritjeve”, tha Krasniqi.

E sa i përket refuzimit të regjistrimit, u tha se ka pasur refuzime, por se ato janë tejet të vogla. Bajgush Qerimi, tha se refuzimet janë raste shumë individuale. “Janë raste shumë individuale… Jemi në fillim në datat e para të fillimit të regjistrimit të bujqësisë. Ka raste që nuk e kanë kuptuar mirë qëllimin e regjistrimit të bujqësisë. Dhe sipas udhëzimeve që janë dhe u kemi dhënë e kanë për obligim komisionet komunale të regjistrimit të merren me këto raste. T’i informojnë me detajisht për qëllimin dhe dobinë që ka projekti i regjistrimit të bujqësisë dhe për ta individë”, tha ai.

Ndryshe, regjistrimi i bujqësisë në Kosovë, ka filluar me 1 nëntor dhe pritet të përfundoj në 20 nëntor. Ky është cilësuar si një projekt madhor për Kosovën nga i cili do të përfitojnë të gjithë ata që merren me bujqësi. Projekti i regjistrimit të bujqësisë është financuar nga Qeveria e Kosovës dhe nga donatorë të ndryshëm, si Komisioni evropian, Qeveria suedeze, ajo e Luksemburgut dhe Qeveria e Danimarkës. Ky fond quhet fond i mirëbesimit dhe menaxhohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për projeksione dhe shërbime (UNOPS). Kostoja totale e projektit është afro 4.7 milionë euro. /Telegrafi/