LAJMI I FUNDIT:

Veprat e tre brezave të familjes Buza

Veprat e tre brezave të familjes Buza

Një pasuri e tre breza artistësh të familjes Buza – Abdurrahimit, Kujtimit dhe Sokolit – duhet inventarizuar, për të kaluar më pas në mundësinë e muzealizimit të studios dhe hapjes së saj për publikun.

Kështu deklaroi sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti, gjatë vizitës në studion e piktorëve, ku u takua me djalin e Abdurrahim Buzës, Kujtimin.

“‘Në vitet ’30 ai nisi të pikturojë portrete me ngjyrat e luleve”. Kështu tregon Kujtimi për të atin, Abdurrahim Buzën, gjakovarin që zgjodhi Tiranën për të jetuar e punuar.

“Tirana ka nevojë për të tilla pika referimi”, shton ministrja.

Abdurrahim Buza, një nga emrat më të njohur të artit shqiptar të shekullit XX, ishte një nga themeluesit e shkollës së parë të vizatimit në Tiranë në vitin 1933. Punoi në shkollën teknike “Harry Fultz”, në gjimnazin e Tiranës, në gjimnazin “Qemal Stafa”, në Liceun artistik “Jordan Misja”. Në vitin 1960 fitoi titullin “Piktor i Merituar”, ndërsa në vitin 1978 fitoi titullin “Piktor i Popullit”. Ai ishte piktori i parë që pikturoi nudon e parë nga natyra në Shqipëri. Abdurrahim Buza na ka lënë një fond të pasur me rreth 500 piktura dhe mijëra vizatime. /ata/