LAJMI I FUNDIT:

Venezuela mbetet pa para

Venezuela mbetet pa para

Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro pezulloi eliminimin e kartëmonedhës me prerjen më të madhe në vend, që shkaktoi mungesë të parasë fizike dhe tensione në të gjithë vendin, duke shtuar se kjo masë do të shtyhet për në fillim të janarit.

Lëvizja befasuese gjatë javës që kaloi për të hequr nga qarkullimi bankontën prej 100 bolivarësh, përpara se prerjet më të mëdha të disponohen, shkaktoi rreshtimin e qytetarëve në banka, grabitje nëpër dyqane dhe protesta kundër qeverisë.


Nicolas Maduro fajësoi armiqtë jashtë vendit për vonesën e tre avionëve që mbanin kartëmonedhat prej 500, 2 mijë dhe 20 mijë bolivarë.

“Një avionë, i kontraktuar dhe paguar nga Venezuela, u detyrua gjatë fluturimit që të ndërrojë destinacionin”, tha presidenti pa detajuar burimin e urdhrit. Kartëmonedha 100-she, e hequr zyrtarisht nga qarkullimi që prej datës 15 Dhjetor dhe që vlen vetëm 4 cent (USD) në tregun e zi të këmbimit, do të përdoret tashmë deri më 2 janar, tha Presidenti.

Shumë qytetarë janë gjendur në vështirësi për të paguar për ushqim, karburant apo përgatitur për festat e fundvitit. Rreth 40% e banorëve nuk kanë llogari bankare dhe nuk mund të përdorin transaksionet elektronike si një alternativë ndaj cash-it.

Duke përkeqësuar situatën, Venezuela ka nivelin më të lartë në botë të inflacionit, që nënkupton se sasi të mëdha të parasë duhen për të paguar për produkte bazë.

Lideri i partisë opozitare Julio Borges tha se qeveria ka një manaxhim destruktiv ekonomik dhe se qëllimi kryesorë është mbajtja e pushtetit me çdo kusht, duke shtuar se lideri socialist duhet të japë dorëheqjen. /Telegrafi/