LAJMI I FUNDIT:

Vendimi i Speciales për ulje të dënimit me 22 vjet burgim për Sali Mustafën, reagon vajza e tij

Vendimi i Speciales për ulje të dënimit me 22 vjet burgim për Sali Mustafën, reagon vajza e tij

Paneli i Apelit i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë mori vendim për ulje të dënimit nga 26 në 22 vjet burgim ndaj Salih Mustafës, të akuzuar për krime lufte.

Pas vendimit, ka reaguar vajza e tij, Buna Mustafa.


Në mesazhin e saj të ndjeshëm, Buna ka përdorur poezinë e dëshmorit Bahri Fazliu, i cili luftoi krah për krah me babain e saj.

Ajo ndërthur kujtimet e fëmijërisë së saj, kur lexonte poezitë e dëshmorit gjatë pushimeve, me realitetin e sotëm të rileximit të tyre, gjatë pauzave në universitet.

Buna shpreh zemërimin dhe pikëllimin për atë që ajo e sheh si një padrejtësi dhe shtrembërim të historisë, ndërsa pyet se si do t’i komunikonte këtë realitet të hidhur figurave historike që kanë sakrifikuar aq shumë për vendin.

“E qysh me i tregu xhaxhit Bahri, hero i kombit, se bashkëveprimtari e bashkëluftëtari i tij po gjykohet padrejtësisht për luftën e pastër që e bënë krah për krah?”

Me një ton të theksuar të dëshpërimit, ajo pohon se heronjtë e Kosovës do të ishin të tronditur nëse do të merrnin vesh se “bashkëluftëtarin e tyre po e përulin e historinë tonë të pastër, të drejtë, e të larë me gjakun e të rinjve tanë po e shtrembërojnë aq shumë saqë nuk po mundemi të njohim as vetveten.”

Ky vendim dhe reagimi i familjes Mustafa rihapin diskutimin mbi proceset gjyqësore dhe trajtimin e figurave të përfshira në konfliktet e së kaluarës, si dhe efektin që këto vendime kanë mbi perceptimin e historisë dhe të ardhmen e Kosovës.

Vlen të theksohet se ky aktgjykim ishte i pari i Apelit  në një cështje për krime lufte në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë./Telegrafi/