LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi i reagon Apostolovas: Jo të gjithë në vendin tonë mund të blejnë vetura të reja

Krasniqi i reagon Apostolovas: Jo të gjithë në vendin tonë mund të blejnë vetura të reja

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i është përgjigjur shefes së zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, në një deklaratë të saj rreth rritjes së moshës maksimale të veturave të importuara në Kosovë, deri në 15 vjet.

Apostolova, përmes një postimi në Twitter kishte thënë se është e zhgënjyer me vendimin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik të Kuvendit të Kosovës për rritjen e moshës maksimale të makinave të importuara të përdorura deri në 15 vjet.


Kjo pasi që, sipas saj, një veprim i tillë do të ndikonte drejtpërdrejt në ndotjen e ajrit në Kosovë dhe është qartë kundër objektivave të BE-së.

“Vendimi i Komisionit është kundër Ligjit për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja dhe në kundërshtim me Rezolutën e Asamblesë mbi Ndotjen e Ajrit, e miratuar në shkurt të këtij viti si një nga prioritetet më të larta në nivel kombëtar në atë kohë”, ka shkruar tutje Apostolova.

Apostolova e quan zhgënjyes vendimin për rritjen e kufizimit të vjetërsisë së veturave të importuara
Lexo po ashtu Apostolova e quan zhgënjyes vendimin për rritjen e kufizimit të vjetërsisë së veturave të importuara

E lidhur me këtë, përcjell Telegrafi, Memli Krasniqi ka shkruar: “Jam e zhgënjyer me standardet e dyfishta, e nderuar ambasadore! Ju lutem a mund të specifikoni cila rregullore e BE-së apo direktivë ndalon importin e veturave më të vjetra se 10 vjet? Amandamenti të cilit ju i referohuni gjithashtu specifikon se të gjitha veturat e importuara duhet të jenë të certifikuara me standardin e emetimit Euro4”

“Euro4 është i bazuar në direktivat 98/69/EC & 2002/80/EC, kështu që amendamenti mbështetet në rregullat e BE-së. Unë ndaj shqetësimin tuaj lidhur me ndotjen e ajrit në Kosovë, por ka edhe ndotës më të këqij, si për shembull djegia e qymyrit për ngrohje. Gjithashtu, jo të gjithë në vendin tonë mund të blejnë vetura të reja”, ka shkruar Krasniqi në një përgjigje Apostolovës.

Ndryshe, Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik ditë më parë ka miratuar Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Automjetet, në të cilin hyn edhe amendamenti që kufiri i vjetërsisë së automjeteve që mund të importohen të rritet nga 10 në 15 vjet.

Megjithëse përkrahje për këtë ndryshim kanë dhënë deputetët e partive në pushtet, opozita dhe shoqëria civile janë shprehur kundër këtij vendimi, që sipas tyre ndikon në ndotjen e ajrit dhe rritjen e numrit të aksidenteve në komunikacion për shkak të vjetërsisë së veturave. /Telegrafi/