Vendim për ruajtjen e distancave mes pallateve

Qeveria i ka paraprirë zbatimit të ligjit me një vendim në formë rregulloreje që shpjegon formën e re të dhënies së lejeve të ndërtimit, zhvillimin e objekteve, institucionet që do t’i miratojnë dhe kontrollojnëj. Rregullorja përmban shumë pika dhe konsiderohet si ‘kushtetuta’ e ndërtimeve në vend, pasi bazën e saj do të zhvillohen zona të shumta urbane, të cilat deri më sot janë ngritur në forma pa shumë lidhje me njëra-tjetrën.
Avenir Kika, anëtar i bordit të shoqatës së ndërtuesve dhe kryetar për degën e Tiranës, tregoi për “Shqip” rëndësinë që paraqet ligji, i cili parashikon të zhbllokojë situatën e zhvillimit të objekteve në kryeqytet. Në rregullore i është kushtuar mjaft rëndësi hapësirës ndërmjet objekteve në varësi të tipit dhe rëndësisë që kanë. Katër janë përcaktimet bazë të hapësirave: orientimi dhe pamja nga dielli; gjendja e strukturave kufitare; respektimi i kërkesave higjieno-sanitare, sipas legjislacionit të posaçëm në fuqi; dhe respektimi i kërkesave mjedisore, sipas legjislacionit të posaçëm në fuqi.
Ndërtuesit duhet kenë parasysh faktin se pozicioni i objektit duhet të jetë në atë mënyrë që të ketë pamje nga dielli, për të paktën tri orë në ditë, në periudhën 22 mars - 22 shtator. “Orientimi bëhet drejt jugut në kufijtë deri 40 gradë të tij, sipas rastit duke preferuar drejtimin gjatësor të strukturës”, thotë pika 3 e nenit 40 të vendimit.
Distanca minimale për faqet pa dritare dhe pa çarje fasade të çdo lloji tjetër, të cilat ndodhen përballë njëra-tjetrës, duhet të jetë 4 metra. Në rast se zgjidhja arkitektonike është e tillë që ndërtesat janë në bashkim të plotë në këto dy faqe, atëherë ndërtuesi duhet të ofrojë të gjitha zgjidhjet e nevojshme për mbrojtjen nga zjarri dhe duhet të sigurojë nënkalime më përmasa minimale prej 4 metra gjerësi dhe 6 metra lartësi. Në çdo rast, dy strukturat duhet të sigurojnë hapësirën e nevojshme publike sipas të gjithë treguesve të kërkuar të zhvillimit.
Në nënnjësitë strukturore të urbanizuara, të konsoliduara me ndërtime, ose në proces mbushjeje urbane, distanca minimale midis faqeve që shohin njëra-tjetrën, të dy strukturave që qëndrojnë përballë njëra-tjetrës është 10 m, dhe nënkupton që të paktën njëra nga faqet është me dritare ose çarje të çfarëdo lloji.
Kjo distancë nënkupton që midis dy faqeve të dy ndërtesave nuk ka rrugë ose shesh, pasi në të kundërt distanca do të ishte më e madhe. Kurse, në zonat që ndërtohen rishtazi, në përputhje me përcaktimin e tyre si zona të sistemit të urbanizueshëm, ose zona të sistemit urban ku do të ndodhë rizhvillim, distanca minimale midis ndërtesave është e barabartë me lartësinë e ndërtesës më të lartë.
Distanca minimale midis faqes së një strukture dhe kufirit të pronës parcelë ku është vendosur kjo strukturë është 4 metra. Në rast se parcela minimale e nënnjësisë strukturore, sipas instrumentit të përgjithshëm të planifikimit, është 600 m2 ose më shumë, distanca minimale e strukturës nga kufiri i pronës, sipas kësaj pike, duhet të jetë 5 m, thuhet në pikën 12 të nenit 40, për hapësirën e objekteve.
Vendimi u kushton rëndësi edhe njësive publike, si çerdhet, kopshtet, shkollat dhe objektet shëndetësore, të cilat duhet të jenë në drejtimin e Jugut, jo më pak se 1,5 herë e lartësisë së përgjithshme të ndërtesës më të lartë të shprehur në metra, dhe në çdo rast jo më pak se 10 m.
Gjithashtu, distanca nga rruga, konsiderohet tepër e rëndësishme nga autoritetet për garantimin e sigurisë. Nisur nga ajo çfarë ka ndodhur gjithë këto vite, me vendimin e fundit janë parashikuar hapësira deri në 15 m, si për rrugët ashtu dhe për trenat.
Distancat varen nga gjerësia e rrugës, që në rastin konkret parashikohet: për gjerësi rruge, me ose pa trotuare, më të vogël se 7 m, distanca minimale është 5 m; për gjerësi rruge, përfshirë trotuaret, 7 deri në 15 m, distanca minimale është 7.5 m; dhe për gjerësi rruge, përfshirë trotuaret, më të madhe se 15 m, distanca minimale është 10 m./Telegrafi/

















































