Sot ka vdekur Marte Tunaj, gruaja e vetme në Kosovë që ka dëshmuar për dhunimin që i është bërë asaj nga një paramilitar serb gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Avdyl Bajrami, përfaqësues i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së nga Vitia, ka shpalosur  ngjarje që tregojnë guximin që ka pasur Marte Tunaj.

“Sot ishim në varrimin e zonjës, ne e kemi pasur si një shembull të një gruaje të guximshme”.

Bajrami tregon për sakrificat dhe guximin që ka pasur Tunaj.

“Ajo në momentet më të vështira të luftës së UÇK-së iu përgjigj organizmit të tij dhe kontribut për ta.  Ajo iu bashkangjit bashkëshortit dhe djalit duke shndërruar shtëpinë e tyre në një ndër pikat dhe bazat më të guximshme”, tha Bajrami në Ora e Fundit të Klan Kosovës.

“Aty e kishim një pikë mjaft strategjike ku ishim shumë afër forcave serbe dhe aktiviteti aty pari duhej të ishte i guximshëm dhe i kujdesshëm”.

Ai thotë se nuk po vlerësohen mjaftueshëm këta njerëz guximtarë.

“Fatkeqësisht nuk është bërë mjaftushëm për njerëzit si ajo, insitucionet tona nuk kanë bërë mjaft për ta. Besojmë që në të ardhmen të tjerët të ndihmohen”.

“Dhuna sistematike që ka qenë tek ne në Kosovë duke filluar nga rrahjet, burgosjet, maltretimet dhe zbrasja e tërë kësaj popullate e ka bërë të veten”.

“Por ajo ka qenë më e guximshme se të tjerët dhe shembullin e saj duket se nuk e kanë ndjekur. Duhet bërë më shumë për këto gra që janë keqtrajtuar gjatë luftës dhe duhet të bëhet trajtimi adekuat i tyre nga instituciont tona”, tha ai.

Kush ishte Marte Tunaj

Marte Tunaj me prejardhje nga Gjakova ishte e martuar në Verban të Vitisë për Vehbi Selmanin një luftëtar trim, i cili vdiq para pak kohësh.

Marte Tunaj la një histori interesante. Ajo më 30 maj të vitit 1999 ishte maltretuar, keqtrajtuar dhe përdhunuar nga paramilitari Millosh Jokiq ndaj të cilit më 25 shkurt të vitit 2000 ishte ngritur aktakuza për krime lufte kundër popullatës civile në Viti. Në veçanti deklarata e Marte Tunajt se ishte dhunuar nga Jokiqi ishte aq e guximshme dhe trimëruese saqë Jokiq ishte arrestuar urgjentisht nga forcat e KFOR-it.

Por nuk përfundon këtu historia e Marte Tunajt. Ajo e kishte shumë të vështirë që pas luftës t’i rrëfente familjes dhe burrit për tërë atë që i kishte ndodhur me Jokiqin.

“E mora guximin dhe i dhashë vetës detyrë që ta denoncoja në polici Jokiqin. E bëra këtë për hir të shumë nënave e grave shtatzëna që ishin keqtrajtuar nga Jokiqi. Burri im e mori vesh tek pasi u bë gjyqi dhe i jam shumë mirënjohës që më përkrahu deri në fund”, pati rrëfyer ajo për rajonipress.

Tunaj thoshte se guximin për të dëshmuar si grua shqiptare ia fali Kosovës, djalit të saj Sherifit i cili ishte pjesëtar i UÇK-së dhe ishte i vetmi i mitur në tërë rajonin e Vitisë.

Ajo së bashku me burrin e saj Vehbi Selmanin dhe djemtë ishte pjesëmarrëse e luftës së fundit. Lufta me të mirat e me të këqijat asaj i solli një ngjarje tronditëse. Për shkak të aktivitetit në UÇK të burrit të saj dhe djemve ajo dhunohet.

Martja ndihej e shqetësuar për fatin e femrave të dhunuara dhe për rajonipress pati dhënë një mendim se si duhet të trajtohen ato.

“Tani kam 65 vite dhe marr nga shteti një ndihmë prej 96 eurove. Përcjell me vëmendje tërë debatin rreth femrave të dhunuara gjatë luftës dhe nuk më vije mirë që dikush flet me paragjykim për këtë kategori. Jam e befasuar dhe shumë e shqetësuar me ato diskutime në Parlament e Qeveri rreth asaj se a duhet apo nuk duhet të paguhen këto femra të dhunuara. Vërtet është turp për këtë Qeveri e këto institucione që ende pas 15 vitesh diskutohet se a duhet apo jo të kenë ndihma financiare femrat e dhunuara”, shprehej Martja.

Ajo pati rrëfyer se gjatë luftës së fundit e kishte fituar diabetin dhe vetëm për një muaj shpenzonte mbi 80 euro vetëm për barna.

“Nuk jam pishman që u kam dhënë bukë pjesëtarëve të UÇK-së dhe u kam qepur edhe rrobat. E kam bërë me vullnet e dëshirë, por nuk mund të pajtohem me faktin se Qeveria e përkohshme më përzuri nga vendi i punës dhe askush kurrë nuk është përkujdesur për mua”, thoshte ajo e revoltuar.

Martja thoshte se e ka guximin të flas në emër të të gjitha grave të dhunuara që shteti të mendoj dhe të bëjë të pamundurën që tua mundësojë një pagesë dinjitoze.

“Është gjynah që femrat e dhunuara të mbesin nën mëshirën e lëmoshës. Ato kanë nevojë për përkujdesje e tretmane të ndryshme mjekësore”, thoshte ajo.

Ndryshe Marte Tunaj është femra e vetme në Kosovë që ka dëshmuar publikisht për dhunimin e kryer nga ana e Millosh Jokiqit. Tunaj ka dëshmuar në prezencë të burrit dhe publikut në sallë dhe si rezultat i rrëfimit të saj rrëqethës Jokiq ishte dënuar me 20 vite burgim.

Në gjykimin kundër Millosh Jokiqit patën dëshmuar 40 dëshmitarë në mesin e tyre edhe Marte Tunaj nga Verbani i Vitisë. Tunaj me dëshmi rrëqethëse pati prezantuar para trupit gjykues që udhëhiqej nga Patrice de Charette, shumë fakte dhe prova bindëse.

Millosh Jokiq sipas Marte Tunajt më 30 maj 1999 nën kërcënimin e thikës kishte kryer marrëdhënie seksuale. Jokiqi ishte i armatosur deri në dhëmbë.

“Ai së pari i mori të gjitha të hollat nga banorët dhe mua më çoi në kuzhinë ku më urdhëroi të zhvishem. Refuzova me tërë forcën time, por ai nxori thikën dhe nën kërcënimin e thikës, kreu marrëdhënie seksuale”, kishte rrëfyer Tunaj.