LAJMI I FUNDIT:

Vdekja e Navalnyt bën me dije se Putini po e harton skemën më të kobshme deri më sot

Vdekja e Navalnyt bën me dije se Putini po e harton skemën më të kobshme deri më sot

Nga: Olga Chyzh / The Guardian (titulli origjinal: What does Alexei Navalny’s death tell us? That Putin seems to be devising his most ominous scheme yet)
Përkthimi: Telegrafi.com

Është e vështirë të mos barazohet vdekja e parakohshme e Alexei Navalnyt me vdekjen e opozitës ruse. Me vetëm disa javë para zgjedhjeve të rreme që do të rezultojnë me emërimin e Vladimir Putinit për një mandat të pestë si president i Rusisë, vdekja e Navalnyt parashikon të ardhmen e zymtë paszgjedhore për Rusinë, për Ukrainën dhe për botën.


Brenda Rusisë, Navalny do të jetë i pazëvendësueshëm për aftësinë e tij për t’u lidhur, për të sharmuar dhe për të mobilizuar. Me shumicën e aleatëve të tij që tani janë në mërgim dhe me ngufatjen më të madhe se kurrë të Kremlinit në sheshin publik dixhital, po zhduken shpejtë rrugët që Navalny i kaloi për të mbërthyer zemrat dhe mendjet e të rinjve. Është e vështirë të shihet se prej nga do të dalë pasardhësi. Dhe, kështu, opozita ruse nuk ka asnjë lider, asnjë pikë qendrore për t’u bashkuar, nuk ka fytyrë që ta përfaqësojë atë, nuk ka zë për të folur në emër të saj.

Kjo kthesë e errët e ngjarjeve nuk është tragjedi vetëm për Rusinë; kudo është sinjal rrëqethës për avokatët e demokracisë liberale. Shpeshherë thuhet se shpresa më shumë shkëlqen në kohët më të errëta, duke sugjeruar se një kthesë për më mirë është diku afër qoshes. Megjithatë, në kontekstin e gjendjes aktuale të Rusisë, optimizmi i tillë duket i pavend. Kombi nuk është i përgatitur për protestë të madhe. Dhe, në mënyrë paradoksale, lufta në Ukrainë mund të ketë forcuar – pa dashje – disa sektorë të ekonomisë së Rusisë, duke rigjallëruar prodhimin e armëve dhe duke krijuar mundësi punësimi për punëtorët e pakualifikuar.

Dhe, teksa masat kënaqen me këto mundësi të reja ekonomike, vdekja e Navalnyt dërgon një mesazh të qartë dhe të zëshëm për opozitën e ardhshme, si dhe për elitat intelektuale: disidenca nuk është më opsion në Rusinë e Putinit. Rusia sot është një vend ku nuk mund të vendosësh lule në shenjë përkujtimi, pa kërcënimin për arrestim.

Elitës ruse Putini ia mundëson stilin luksoz të jetesës – derisa ata nuk e humbasin besimin, të pakta janë shpresat për paqen
Lexo po ashtu Elitës ruse Putini ia mundëson stilin luksoz të jetesës – derisa ata nuk e humbasin besimin, të pakta janë shpresat për paqen

Në shikimin të parë, duket sikur Putini kudo po fiton. Navalny, me lojërat e tij të zgjuara që synonin të prishnin koreografinë politike të Putinit, ishte burimi i fundit i pasigurisë për fitoren e shumëpritur në zgjedhje. Brenda vendit, Putini duket i pandalshëm. Ai ka sundim suprem. Vepron pa u ndëshkuar. Fjala e tij është e shenjtë. Nuk përballet me pasojat për veprimet e tij.

Megjithatë, ky rrëfim nuk është krejt i kuptimtë. Fitimi i zgjedhjeve kundër kundërshtarit të vdekur, vështirë se e portretizon Putinin si figurë me forcë të jashtëzakonshme. Atëherë lind pyetja: pse ta kesh tash cak Navalnyn? Ai ka qenë figurë e njohur për më shumë se një dekadë dhe, përmes taktikave më konvencionale, Putini në mënyrë efektive i kishte neutralizuar sfidat e mëparshme të Navalnyt – si diskualifikimi i tij nga kandidimi për postin, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018. Me Navalnyn e mbyllur në një burg Arktik, dukej edhe më e paktë aftësia e tij për të paraqitur ndonjë kërcënim.

Ekziston vetëm një shpjegim – dhe ai është i zymtë. Hulumtimi i shkencave politike tregon se kohët e fuqisë janë kohët më të mira për autokratët për ta mbrojtur veten nga sfidat e ardhshme politike. Kur lind një sfidë, mund të jetë tepër vonë për ta konsoliduar pushtetin. Putini tani është në pozicion të fortë dhe ai e di se është koha e tij për të përgatitur terrenin për një lëvizje të madhe në të ardhmen. Po e spastron terrenin. E di se nuk është më i ri dhe mund të dëshirojë të angazhohet plotësisht në atë që vërtet dëshiron: që më në fund ta marrë Ukrainën.

Po bëhet i paduruar për të pritur – për pakësimin e mbështetjes perëndimore dhe që forcat më të favorshme politike të marrin pushtetin në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara. Duhet t’i ketë duart e lira që të mund të bëjë atë që duhet: të shpall mobilizimin e përgjithshëm, të rrisë më tej prodhimin ushtarak – edhe me çmimin e një tkurrjeje ekonomike dhe me rrezikun e ripërtëritjes së opozitës vendase. Kur këtë e bën, nuk dëshiron që liderët karizmatikë si Navalny të pakësojnë mbështetjen e tij politike në vend, qoftë kjo në mënyrë të kufizuar.

Veprimi i guximshëm, si eliminimi i një kundërshtari kryesor politik, mund të mos ketë kuptim nëse Putini thjesht do të donte të vazhdonte siç bënte zakonisht pas një zgjedhjeje – rezultati i të cilave tashmë është i garantuar. Ka më shumë kuptim nëse Putini po përgatitet të marrë një kurs të ri, më të ngarkuar politikisht. Në këtë rast, nuk do të donte të linte asgjë në dorë të fatit. Çfarëdo që të ketë planifikuar, me Navalnyn e vdekur ka të ngjarë të shuhet edhe mundësia e pakët e rezistencës politike brenda Rusisë.

Kjo bën me dije se nga ndikimet e jashtme tani varet çdo potencial për ndryshim në Rusi. Ironikisht, Ukraina është shpresa më e madhe e Rusisë për të ardhme liberale. Për Perëndimin, vdekja e Navalnyt mund të jetë zgjimi i fundit para se të jetë tepër vonë. Po mbaron koha për të mbështetur Ukrainën. Mes debateve në Kongresin Amerikan mbi paketën e fundit të ndihmës dhe hezitimin e BE-së për t’i dhënë përparësi prodhimit të saj industrial ushtarak, Putini po e harton skemën e tij më ogurzezë deri sot. Perëndimi duhet të përgatitet për një Putin paszgjedhor, për një despot të papërmbajtur e të përcaktuar për t’i arritur objektivat e veta me çdo kusht. /Telegrafi/