LAJMI I FUNDIT:

Vazhdon ekspozimi i produkteve ushqimore jashtë dyqaneve

Vazhdon ekspozimi i produkteve ushqimore jashtë dyqaneve

Bizneset vendore vazhdojnë të ekspozojnë produktet ushqimore jashtë dyqaneve të tyre. Drejtorati i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës thotë se janë duke identifikuar të gjithë ata që me veprime të tilla rrezikojnë shëndetin e njerëzve, derisa paralajmërojnë një aksion edhe më të gjerë nëpër të gjitha lagjet e kryeqytetit, për të evituar këtë problem, i cili rrezikon shëndetin e qytetarëve.

Ushqimet që blihen nëpër dyqane, pronarët e të cilëve i ekspozojnë produktet në pluhur apo në diell, janë jashtë të gjitha standardeve të sigurisë. Gjatë lëvizjeve, vetëm në sheshin e kryeqytetit vërehen produktet ushqimore të frutave që pa asnjë standard qëndrojnë gjatë gjithë ditës të ekspozuara në diell. Ndonëse nuk flasin para mikrofonit, tregtarët thonë se kjo është një mundësi e mirë për të fituar sado pak.


Ndërsa, Selatin Kaçaniku, nga Organizata “Konsumatori”, thotë për Radio Kosovën se qytetarët duhet të kenë shumë kujdes në këto produkte që janë të ekspozuara nga ana e operatorëve ekonomikë në vende jo të duhura, në diell dhe pluhur jashtë dyqaneve.

“Produktet e paambalazhuara, pa marrë parasysh se cilat janë ato dhe ato që kanë origjinë bulmeti ose mishi, d.m.th ne zakonisht hasim të ekspozuara mishrat, salsiçet, gjiza, qumështi dhe të gjitha këto nën ndikimin e rrezeve të diellit pësojnë ndryshime fiziko-kimike, të cilat mund të jenë të dëmshme për qytetarin konsumator”.

Ndërsa, Komuna e Prishtinës, me të gjitha kapacitetet e saj që ka, është mobilizuar në inspektimin dhe kontrollin e produkteve ushqimore, në mënyrë që mos të lejohen që të përdoren produktet e dyshimta nga konsumatorët. Kështu thotë për radion tonë drejtorit i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri.

“Një gjë e tillë është e ndaluar, dhe kemi filluar të ndërmarrim masa ndaj bizneseve të mëdha që bëjnë një ekspozim të tillë duke i gjobitur dhe duke i detyruar që mallrat e tyre t’i fusin në ambientet ku preferohen. Shumë shpejt do të organizojmë një aksion më të gjerë sa i përket kësaj, në mënyrë që të arrijmë në secilën lagje të kryeqytetit dhe ku vërejmë dukuri të tillë, ne do të marrim masa.”

Në Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit thonë se inspektimet e këtyre produkteve janë në kompetencë të komunave.

Zëdhënësi i AVUK-ut, Lumir Thaçi, tha se produktet e caktuara kanë specifika të caktuara, në të cilat përcaktohen kushtet e ruajtës duke përfshirë edhe temperaturat që ato kërkojnë.

“Në të njëjtën kohë kushtet higjienike, në të cilat shiten produktet ushqimore duhet të jenë të nivelit të lartë. Tregjet brenda komunave dhe marketet janë në mbikëqyrje të inspektorëve komunalë.”

Sidoqoftë, produkte të tilla janë edhe shkak i shumë problemeve shëndetësore të qytetarëve, andaj këta të fundit, duhet të jenë të kujdesshëm dhe nëse hasin në raste të tilla të lajmërojnë inspektoratin për marrjen e masave dhe largimin e tyre nga tregu. /RadioKosova/Telegrafi/