LAJMI I FUNDIT:

Vatikani dhe enigmat morale të AI-së

Vatikani dhe enigmat morale të AI-së
Ilustrim

Nga: Madhumita Murgia
Përkthimi: Telegrafi.com

Muajin e kaluar, një grup i rabinëve ecën dredha-dredha në zemër të Vatikanit, duke e kaluar kupolën e mermertë të Bazilikës së Shën Pjetrit. Ata u afruan te shtëpia verore e Piut IV, vilë patrice e shekullit XVI që tani është objekt i Akademisë Papnore të Shkencave. Vetëm pak metra më pas, në një rrugë të mbushur me palma dhe kaktuse të dhuruara nga kishat në të gjithë botën, erdhi një grup imamësh dhe studiuesish myslimanë nga Abu Dabi dhe Berkelei i Kalifornisë. I ndoqa, duke qenë dëshmitare e këtij takimi të rrallë të mirëkuptimit. Ata ishin këtu për ta diskutuar me Papën një çështje të rëndësishme: të ardhmen e inteligjencës artificiale.


Brenda vilës, në një dhomë katrore të praruar dhe me freska nga disa prej artistëve më të mëdhenj të Rilindjes dhe të Barokut, u ulën udhëheqësit që përfaqësonin tri fetë abrahamike. Ishin të bashkuar nga shqetësimet që kishin.

Takimi kishte vite që po përgatitej, por ndodhi pikërisht kur pjesa tjetër e botës u zgjua nga potenciali i inteligjencës artificiale (AI), për shkak të suksesit viral të çetbotit të internetit, ChatGPT. Programi është jashtëzakonisht i thjeshtë: një teknologji që mund të japë përgjigjet për pyetjet e një përdoruesi, duke përdorur një gjuhë të natyrshme. Përgjigjet e ChatGPT-së mund të përfshijnë gjithçka, nga zgjidhjet e provimeve për magjistraturën e administratës së biznesit, planet e biznesit dhe esetë feministe për Frankeshtajnin, të shkruara në stile dhe pikëpamje të ndryshme – si shekspiriane, pirate ose të hip-hopit të viteve 1990.

Takimi u thirr për të diskutuar për ndikimin e gjerë të inteligjencës artificiale, përfshirë sistemet e vendimmarrjes, njohjen e fytyrës dhe falsifikimet e mëdha. Menjëherë pas lansimit të ChatGPT-së, në fund të vitit të kaluar, u bënë të dukshme grackat e sistemit që imiton komunikimin njerëzor: mund të përhapë gënjeshtra dhe dezinformata, të zmadhojë paragjykimet shoqërore në tekstet që krijon dhe nëse punoni rreth kufizimeve të tij, siç kanë bërë tashmë përdoruesit, mund të gjenerojë përmbajtje të pakëndshme dhe të paligjshme. E gjithë kjo mund të arrihet menjëherë dhe në shkallë të gjerë, duke arritur te miliona njerëz.

Udhëheqësit fetarë u pajtuan të takohen në Romë për shkak të asaj që ata e shohin si nevojë urgjente për ta shndërruar AI-në në teknologji që respekton kufijtë etikë dhe moralë të botës njerëzore.

Para takimit me Papën, tre nga liderët – kryepeshkopi Vincenzo Paglia, kryerabini Eliezer Simha Weisz i Këshillit të Kryerabinatit të Izraelit dhe sheiku Abdallah bin Bayyah i Emirateve të Bashkuara Arabe, i njohur si një nga dijetarët më të mëdhenj të gjallë në jurisprudencën islame – shprehën shqetësimet e veta. Sheiku kishte frikë nga ndarja e shoqërisë për shkak të dezinformatave, si dhe për kërcënimet për dinjitetin njerëzor për shkak të problemeve të të dhënave të shumta për privatësinë. Kryepeshkopi foli për AI-në që përdoret për të kufizuar lirinë e refugjatëve, përmes kufijve të automatizuar; rabini Weisz shqetësohej se do të harronim se vetëm inteligjenca nuk është ajo që na bënë njerëz. Ndryshe nga mjetet teknologjike të identikitit, secili prej nesh është unik, tha ai, i gjallëruar nga ajo që të devotshmit mund ta quajnë shpirti që na dallon nga “çdo instrument i krijuar nga njeriu”.

Në një lidhje me video nga Abu Dabi, sheiku bin Bayyah pyeti se kë duhet të mbajmë përgjegjës për gabimet e inteligjencës artificiale. Çfarë do të ndodhë me komunikimin mes njerëzve? Si do të ndikojë inteligjenca artificiale në sjelljen tonë? Si t’i shmangim dështimet? A do të mbytemi ne, pyeti ai në një aspekt poetik, si krimbi i vogël i mëndafshit përbrenda krijimit tonë? Udhëheqësit nga bota e teknologjisë, përfshirë këtu presidentin e Microsoft-it, Brad Smith, si dhe shefin e kërkimit të IBM-it, Dario Gil, dëgjuan me kujdes përpara se të përgjigjeshin. Inteligjenca artificiale është gati të shpërthejë në ndërgjegjen publike dhe ata prisnin që ajo, në një farë kuptimi, të kapërcejë përvojën njerëzore – por, njerëzit duhet të mbeten në qendër të qëllimit të saj.

Kah fundi i mëngjesit, të tri personalitetet – sheiku i moshuar bin Bayyah i përfaqësuar personalisht nga djali i vet – nënshkruan një besëlidhje të përbashkët, së bashku me kompanitë e teknologjisë, të njohur si Thirrja e Romës. Marrëveshja propozon gjashtë parime etike me të cilat duhet të jetojnë të gjithë projektuesit e AI-së, duke përfshirë atë që sistemet e AI-së të jenë të shpjegueshme, gjithëpërfshirëse, të paanshme, të riprodhueshme dhe duke kërkuar që njeriu të marrë gjithmonë përgjegjësinë për një vendim të lehtësuar nga AI-ja.

Teksa e nënshkruan paktin, në dhomë ra një heshtje. I shikoja ata rreth meje dhe pyesja veten nëse ata, si unë, po ia kushtojnë këtë moment kujtesës. Cilado mosmarrëveshje që shpërthen përtej kësaj dhome, ne ramë dakord, të paktën tash për tash, se ia vlen të mbrohen të drejtat e njerëzve në një botë të infektuar me AI-në. /Telegrafi/