LAJMI I FUNDIT:

Valdete Hoti: Nëse unë i mbijetova vaksinimit, do t’i mbijetoni edhe ju!

Valdete Hoti: Nëse unë i mbijetova vaksinimit, do t’i mbijetoni edhe ju!

Një shoqatë në Zvicër dëshiron të motivojë  për vaksinim qytetarët me prejardhje të huaj. Kryetarja e shoqatës, Valdete Hoti thotë: “Na është thënë se ju e kemi importuar Coronën nga Ballkani. Kjo ishte shumë e dhimbshme”.

Të mërkurën autobusi i vaksinimit ka ndaluar në Cyrih Oerlikon. Ka qenë shoqata Parandalo ajo që ka porositur mjetin e vaksinimit të qëndrojë përballë qendrës së shoqatës, transmeton albinfo.ch.


Një vajzë e re e zbehtë në fytyrë, ulet në një nga karriget e rreshtuara në mes të lokalit të shoqatës Parandalo në Oerlikon dhe shikon dyshemenë. Ajo nuk dëshironte të jetë këtu. Jashtë, para derës është autobusi i vaksinimit të cilin e ka porositur shoqata.

Vajza punon në sektorin e shëndetësisë – dhe ka frikë nga injeksionet. Por shefi i saj, thotë ajo, këmbëngul që ajo më në fund duhet të vaksinohet. Kjo është arsyeja pse ajo  ka ardhur këtu. Por ajo do të donte të kthehej menjëherë.

Valdete Hoti, kryetarja e shoqatës, flet me të në heshtje dhe buzëqesh. “Unë gjithmonë u them njerëzve: nëse unë i mbijetova vaksinimit, do t’i mbijetoni edhe ju”. Hoti vuan nga humbja progresive e muskujve. Ajo është e varur nga një karrige elektrike me rrota dhe nga furnizimi shtesë me oksigjen.

Qendra “Parandalo”, e themeluar në vitin 2011, këshillon dhe shoqëron personat me prejardhje migrimi dhe personat me aftësi të kufizuara. Motoja e shoqatës është “parandalimi është më mirë se kurimi”. Selia ndodhet në katin e parë të një pallati në Wallisellenstrasse, numër 429.

Është vonë pasdite e së mërkurës, trafiku është i vrullshëm jashtë dhe duken fare pak kalimtarë. Por disa persona janë mbledhur para qendrës. Aty ofrohej vaksinimi nga ora 17:00 deri në 19:00.

Kur numri i rasteve me korona qe rritur ndjeshëm në Zvicër pas pushimeve verore, një grup ishte veçanërisht në fokus: udhëtarët që ktheheshin nga Ballkani. Në fund të gushtit, sipas kantonit të Cyrihut, 70 deri në 80 për qind e njerëzve në kujdesin intensiv kishin prejardhje të huaj.

Në fillim të shtatorit, Drejtoria e Shëndetësisë së Cyrihut pati njoftuar se gjetjet nga gjurmimi i kontakteve i kantonit dhe Task Forca shkencore për Covid tregojnë se pushuesit që ktheheshin nga Ballkani ishin të infektuar me Covid-19 më shumë se mesatarja. Për këtë arsye, Festivali Alba qe anuluar përmes një njoftimi të shkurtër, gjë që shkaktoi zemërim të gjerë.

Valdete Hoti thotë se njerëzit nga Ballkani janë dënuar kështu në mënyrë kolektive. “Thuhej se ne kemi importuar Coronën nga Ballkani në Zvicër. Ishte shumë e dhimbshme”, shkruan gazeta NZZ. Në fakt, shumë udhëtarë ishin sjellë shumë të shkujdesur gjatë pushimeve.

“Në verë virusi u harrua. Por ishte e njëjta gjë edhe për zviceranët”, thotë ajo

Jo të gjithë shefat lejojnë vaksinimin gjatë orarit të punës

Sfondi i migrimit nuk shënohet gjatë regjistrimit për vaksinim, kështu që është e vështirë të nxirren përfundime për shkallën e vaksinimit të kësaj kategorie. Në javën kombëtare të vaksinimit, e cila po zhvillohet aktualisht, edhe personat me gjuhë të huaj duhet të motivohen në mënyrë eksplicite për vaksinimin.

Në Qendrën Parandalo, pjesëtarët e kryesisë kanë siguruar mandarina, mollë etj. për të gjithë ata që vijnë në atë mbrëmje. “Disa thjesht ulen, pinë kafe dhe bisedojnë. Sigurisht që synimi është që sa më shumë të vaksinohen”, thotë Hoti. Por këtu  gjithashtu mund të shtrohen, thjesht, pyetje.

Dy të rinj ulen në karrige. Njëri prej tyre është vaksinuar prej kohësh, “pothuajse e gjithë familja ime dhe të gjithë miqtë e mi janë vaksinuar”, thotë ai. Por kolegu i ulur pranë tij, vetëm tani ka mundur ta bindë veten për tu vaksinuar.

Ai kishte dëgjuar në rrjetet sociale se vaksinimi të bënte impotent. Por, tani ai nuk e beson më këtë. Megjithatë, as tani nuk është plotësisht i qetë. Pas vaksinimit, ai respekton kohën e detyrueshme të pritjes prej çerek ore. Pastaj shkojnë të dytë.

Valdete Hoti thotë se personat me prejardhje migrimi nuk janë më dembelë se të tjerët, sa i përket vaksinimit. Por disa, thjesht, kishin probleme për të siguruar vaksinimin. Shumica e informacionit është në dispozicion vetëm online. “Dhe, kush nuk ka kompjuter, është ‘i përjashtuar’”, thotë Hoti.

Njësoj janë edhe ata që mezi flasin gjermanisht.

Dy punëtorë ndërtimi që vijnë në qendër menjëherë pas punës janë regjistruar tashmë për vaksinim. Është e vërtetë që punëdhënësit janë të udhëzuar që të mundësojnë vaksinimin e punonjësve gjatë orarit të punës. Megjithatë, veçanërisht në sektorin e pagave të ulëta, realiteti duket ndryshe, ashtu siç e thonë edhe disa anëtarë të bordit të “Parandalo”.

Informacioni për Koronën përmes videomesazhit

Shoqata që nga fillimi i pandemisë ka qenë e përkushtuar për informimin e anëtarëve lidhur me virusin korona, thotë Hoti. Ajo ofron një listë të aktiviteteve të shoqatës. Qysh në pranverë të vitit 2020 ishte dërguar një letër rekomandimi me masa të parandalimit të përhapjes së virusit. Kanë pasuar disa aktivitete informative, në të cilat ka ligjëruar Xhevat Hasani, mjek dhe anëtar i bordit të shoqatës. Ai me krenari raporton se transmetimet e drejtpërdrejta në Facebook kishin arritur mijëra persona. “Njerëzit mund të njoftohen gojarisht  shumë më mirë sesa me shkrim”.

Sidomos njerëzit nga brezi i parë i emigrantëve që e flasin dobët  gjermanishten ose nuk e njohin sistemin social në Zvicër kanë vështirësi në marrjen e ndihmës që u nevojitet. Në Qendrën “Parandalo” konsulta e parë është pa pagesë, e dyta bazohet në të ardhurat tuaja të tatueshme. Në fakt, pothuajse të gjithë punonjësit këtu janë vullnetarë dhe paratë janë të pakta. Kutia e dhurimeve në pritje është e mbushur me monedha të imëta. “Nuk mund të kërkosh para nga njerëzit që kanë probleme të shumta”, thotë Hasani.

Në fund të muajit gusht, bordi i shoqatës publikoi një video në internet me apelin në gjuhën shqipe për t’u vaksinuar. Në video, të gjithë anëtarët tregojnë certifikatën e tyre Covid. Për pacienten me rrezik të lartë Valdete Hoti, infeksioni mund të ishte kërcënues për jetën. Megjithatë, ajo thekson se respekton njerëzit përreth saj që absolutisht nuk duan të vaksinohen. “Në shoqatën tonë synojmë gjithëpërfshirjen”, thotë Hoti. Prandaj, këtu përfshihen edhe ata që nuk pajtohen.

Pas dy orësh, fushata e vaksinimit përfundon dhe Hoti bën një bilanc: janë vaksinuar gjithsej dymbëdhjetë persona, përcjell albinfo.ch. Gjashtë persona donin një vaksinë përforcuese (të tretë), por nuk iu dha. Edhe e reja që ka frikë nga gjilpërat vendosi të vaksinohej – që të mos kishte probleme me shefin.

Në trend Lajme

Më shumë
Pasuria e majme e kreut të Prishtinës – banesa, rezidencë, veturë Tesla e koleksion pikturash milionëshe

Pasuria e majme e kreut të Prishtinës – banesa, rezidencë, veturë Tesla e koleksion pikturash milionëshe

Lajme
Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Lajme
Pasuria e Memli Krasniqit, ai posedon numër të madh të kriptovalutave

Pasuria e Memli Krasniqit, ai posedon numër të madh të kriptovalutave

Lajme
Tri shtëpi në Kosovë, një në Shqipëri dhe një vilë -  kjo është pasuria e Ramush Haradinajt

Tri shtëpi në Kosovë, një në Shqipëri dhe një vilë - kjo është pasuria e Ramush Haradinajt

Lajme
Banesë, depo, parking e kursime në bankë – kjo është pasuria e kryeparlamentarit Konjufca

Banesë, depo, parking e kursime në bankë – kjo është pasuria e kryeparlamentarit Konjufca

Lajme
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
Kalo në kategori