LAJMI I FUNDIT:

Vala me produkt të jashtëzakonshëm, lanson bursë-platformë agroindustriale

Vala me produkt të jashtëzakonshëm, lanson bursë-platformë agroindustriale

Një femër apo një prodhues bujqësor, nuk do të ketë nevojë më të bredhë apo të pres korridoreve të ministrive dhe organizatave të ndryshme, për të marrë informacione për grantet, donacionet dhe ndihmat tjera që jepen nga Qeveria e Kosovës apo Komisioni Europian dhe Banka Botërore.

Të gjitha këto informata, së bashku me të gjitha llojet e prodhimeve bujqësore në Kosovë, të gjitha pikat grumbulluese, të gjitha llojet e ambalazheve dhe produkteve tjera në funksion të bujqësisë, do t’i ketë në telefonin e tij.


Mjafton një numër i Valës dhe shkarkimi i aplikacionit, i cili 6 muajt e parë do të jetë falas, ndërsa më vonë, do të jetë i disponueshëm kundrejt një shumë simbolike.

Aplikacioni i promovuar sot nga Drejtori Menaxhues i Telekomit të Kosovës, me Shoqatën e Fermerëve të Kosovës, në ambientet e Fermës & Qumështores “Eurolona” në Miradi të Epërme, do të shtrihet edhe në Shqipëri dhe Maqedoni, për të bërë konkret tregun mbarëshqiptar dhe pse jo edhe më gjerë, pasi shitja e produkteve bujqësore nga fermerët e Kosovës dhe Shqipërisë është kthyer në një nevojë esenciale.

“Kemi ardhur sot ta promovojmë bursën apo platformën agroindustriale, një lloj aplikacioni apo ta quajmë bursë elektronike, e cila paraqet revolucion për Telekomin e Kosovës. Paramendojeni prodhuesit bujqësor, qumështoret, fermerët, dhe prodhuesit tjerë në vend, do të kenë informacion në kohë reale për grantet, donacionet, projekte dhe lehtësirat tjera për informim në lidhje me këtë biznese. Gjithashtu do kenë informacion për çdo produkt bujqësor, pemë, perime, vreshtari, pemëtari, bletari, ambalazhime, pika grumbulluese dhe sasinë e tyre. Padyshim se është një gjë që s’ka ekzistuar më parë dhe nuk gjendet ende në rajon”, tha Drejtori Menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa.

Sipas tij, ky produkt paraqet revulucoion të njëjtë me atë që ndodhi me telekomunikimin mes Kosovës dhe Shqipërisë, i cili nga 80 cent për minutë, ka rënë në 10 cent. Gjithashtu, një javë në Shqipëri mund të kalohet me më pak se 5 euro, duke përdorur internetin e shpejtë të pakos ALB 2, ndërkohë që numri nuk ka nevojë të ndërrohet.

“Kjo bursë online apo platformë do të sjellë një revulucion të tillë fillimisht në sektorin e bujqësisë në vendin tonë dhe brenda pak kohësh edhe në gjithë tregjet shqiptare”, deklaroi Drejtori Menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa.

Milazim Berisha, pronar i Fermës & Qumështores “Eurolona”, bëri të ditur se aplikacioni që ka krijuar Vala është i jashtëzakonshëm, sepse ndihmon jo vetëm qumështarët, por të gjithë fermerët e këtij sektori që të kenë informata në kohë reale.

“Është një ndihmë e madhe për të gjithë bujqit dhe fermerët e Kosovës, për faktin se lehtëson shumë komunikimin tonë reciprok dhe marrjen e informacioneve të shpejta, të sakta dhe të nevojshme”, pohoi Berisha.

Kjo platformë e cila është një inovacion jo vetëm për tregun e Kosovës, por edhe të rajonit dhe më gjerë, do të jetë një kontribues i pamohueshëm në zhvillimin e mëtutjeshëm të agrobiznesit, zhvillim ky që do të manifestohet me zhvillimin ekonomik të vendit.

Arritja me lehtësi dhe në kohë reale te qasja dhe shkëmbimi i informacioneve është njëra ndër sfidat më të mëdha të kohës, për të bërit biznes, ndërsa përmes platformës “BUJKU”, do të eliminohen të gjitha vështirësitë e qasjes në informacione dhe komunikim të shpejtë në gjithë sektorin bujqësor dhe jo vetëm. /Telegrafi/