LAJMI I FUNDIT:

Ushtria ukrainase njofton se nuk ka trupa ruse në Chasiv Yar

Ushtria ukrainase njofton se nuk ka trupa ruse në Chasiv Yar

Zëdhënësi i grupit operativ dhe strategjik të trupave Khortytsia të ushtrisë ukrainase, Nazar Voloshyn, ka njoftuar se në qytetin Chasiv Yar nuk ka trupa ruse.

“Armiku vazhdon të ushtrojë presion mbi Chasiv Yar. Por, forcat e mbrojtjes e kanë situatën nën kontroll. Nuk ka forca të armikut në qytet, armiku nuk i ka kaluar kufijtë e qytetit”, tha Voloshyn.


Zëdhënësi vuri në dukje se në përpjekje për të kapur qytetin, ushtria ruse po përpiqet të kalojë përmes vendbanimeve në Bohdanivka dhe Ivanivske, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Sipas Voloshyn, rusët po rigrupohen në ato zona dhe po vendosin grupe tjera ushtarësh në Bilohorivka.

Gjithashtu, ushtarët rusë po lëvizin edhe drejt Klishchiyivka dhe Andriivka.

Sulmet aktive në këto territore ukrainase lënë të nënkuptohet se ukrainasit duhet të përgatiten për një valë të re sulmesh.

“Ushtria ruse po përpiqet të shkatërrojë të gjitha fortesat e togave tona dhe qytetin Chasiv Yar. Megjithatë, ushtarët tanë po e frenojnë armikun dhe po e stabilizojnë situatën”, tha Voloshyn. /Telegrafi/