LAJMI I FUNDIT:

Ushtarët izraelitë vrasin dy palestinezë

Ushtarët izraelitë vrasin dy palestinezë

Ushtarët izraelitë vranë dy palestinezë gjatë një bastisjeje në pjesën veriore të Bregut Perëndimor, thanë zyrtarët palestinezë.

Ky është konflikti i fundit mes dy palëve këtë vit, duke e bërë vitin 2022 vitin më vdekjeprurës të dhunës në territorin e pushtuar që nga viti 2015.

Bastisja u krye në kampin e refugjatëve Jenin, në pjesën veriore të Bregut Perëndimor, ku forcat izraelite dhe njerëzit e armatosur dhe banorët lokalë përleshen vazhdimisht. Kampi njihet si një bastion i luftëtarëve palestinezë dhe ushtria izraelite shpesh kryen operacione atje, raporton aljazeera.

Zyrtarët palestinezë thanë se ushtarët hynë në kamp herët këtë mëngjes dhe rrethuan një shtëpi. Shkëmbimi i zjarrit dëgjohet në videot e publikuara në rrjetet sociale. Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se dy persona u vranë dhe 11 u plagosën, tre prej tyre në gjendje kritike.

Reklama

Ushtria izraelite tha se kishte arrestuar një person në kërkim dhe raportoi një shkëmbim zjarri në Jenin. Ajo nuk dha detaje të tjera.

Vrasja e sotme erdhi dy ditë pasi dy adoleshentë palestinezë, të moshës 14 dhe 17 vjeç, u vranë nga zjarri izraelit në incidente të veçanta diku tjetër në Bregun Perëndimor.

Që nga fillimi i këtij viti, më shumë se 100 palestinezë janë vrarë në operacionet ushtarake izraelite kundër ekstremistëve dhe mbi 2000 janë arrestuar në bastisjet e natës.

Operacionet ushtarake filluan pas një serie sulmesh palestineze që vranë 19 persona midis mesit të marsit dhe fillimit të majit. /Telegrafi/