Universiteti “Fehmi Agani” i Gjakovës ka shënuar një sukses të rëndësishëm në fushën e arsimit të lartë. Për herë të parë që nga themelimi, shumica e profesorëve të këtij institucioni justifikojnë titujt e tyre akademikë, sipas raportit të fundit të Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), përcjell Telegrafi.

Të dhënat tregojnë një rritje të dukshme të integritetit akademik dhe publikimit shkencor:


59% e profesorëve justifikojnë titujt, krahasuar me 35% në vitin 2020;

167 punime shkencore janë publikuar në revista të indeksuara në Scopus dhe Web of Science;



37% e tyre gjenden në kuartalet e para të Scopus-it (Q1 dhe Q2);

80% e stafit akademik kanë të paktën një publikim shkencor, ndërsa Fakulteti i Mjekësisë kryeson për produktivitet.

Sipas raportit, punimet e profesorëve të Universitetit të Gjakovës janë publikuar në revista nga 34 shtete të ndryshme, me Poloninë dhe Zvicrën si vendet ku botohet më shumë.

Ky progres e rendit Universitetin e Gjakovës në mesin e institucioneve publike me performancë më të lartë në ngritje, duke dëshmuar përkushtim ndaj standardeve të kërkimit shkencor dhe transparencës akademike.

Raporti është publikuar në kuadër të projektit HEI’25, të financuar nga Austrian Development Agency (ADA) me mbështetjen e MAShTI-së, Agjencisë së Kosovës për Akreditim, dhe zbatuar nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) dhe ORCA. /Telegrafi/