Uniforma dhe çizme të reja për zjarrfikësit e Gjilanit

Njësia Profesionale e Zjarrfikësve në Gjilan është pajisur me një kontingjent rrobash, këpucësh dhe çizmesh falë donacionit të bashkatdhetarit nga Zvicra, Imran Fejzullahu.
Gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit morën pjesë drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bejtullah Osmani, zëvendëskomandanti i NjPZ-së, Murat Ramadani, si dhe zjarrfikës të njësisë, përcjell Telegrafi.
Osmani dhe Ramadani falënderuan dhuruesin për këtë kontribut të çmuar, duke theksuar se ndihma e tillë rrit gatishmërinë dhe efikasitetin e zjarrfikësve në kryerjen e detyrave të tyre.
Transporti i kontingjentit nga Zvicra në Gjilan u realizua me ndihmën e një tjetër bashkatdhetari, Besim Bllaca, të cilit gjithashtu iu shprehën falënderime për angazhimin dhe bashkëpunimin.
Ky donacion konsiderohet si shembull i mirë i solidaritetit të bashkatdhetarëve që vazhdojnë të mbështesin institucionet publike në vendlindje. /Telegrafi/



















































