LAJMI I FUNDIT:

Unë, i biri arsimtarit – kundërshtari i grevës

Unë, i biri arsimtarit – kundërshtari i grevës
Ilustrim

Arbër Jashari

Në mos i pari, i dyti gjithë ma bënë “like”. Atë natë, as i pari, as i dyti, as i treti as hiq. Më gjasë ishte hera e parë që po ndodhte. Unë e kisha shkruar një status kundër grevës në arsim dhe babai im arsimtar nuk po e pëlqente. Pak a shumë e pritshme!


Edhe kur shkova në shtëpi, m’u duk që më shikoj pak si mrroltë. “Çka ke shkru bre bir ashtu?”, më tha. “Nënën tande fort e ka mërthy lemza (demek të kanë sha njerëzit)”. Nuk pata qejf me hy në polemika.

Zakonisht e urrejë t’i komentoj postimet “live”. E lamë më aq. Pas nja dy- tre orësh e fshiva statusin. Më mirë thash rehat. Çka m’i nxjerr vetit punë. Ashtu kështu nuk ndreq send njeri.

Krejt javën u durova edhe pse kryet më vloi me shkru diçka, por u përmbajta. Nuk rrej, u mundova me bind veten se arsimtarët kanë të drejtë, dhe me e qetësu shpirtin. Sa u mundofsha me ia lidhë kryet, më vinin do mendime që më trazonin.

Në rregull që po kërkojnë paga më të larta, ndoshta edhe i meritojnë, por a po e dinë këta njerëz ku po jetojmë ? A i shohin nxënësit e tyre të papunë ? A ju vjen keq për ta ? Për një vend pune konkurrojnë 100 veta. Njerëz të lodhur, të dëshpëruar, më një krah dokumente, por të papunë. Nuk janë UFO, nuk janë të huaj, janë familjarët tanë, janë shokët tanë, ata që na i qajnë hallet për ditë. Dhe, para se të kërkojmë nga shteti diçka për vete, lë të kërkojë dikush diçka për ta.

Nuk ka shumë kohë që kanë kaluar festat e fundvitit. Disa nga ne morëm rrogat kah i 27-i (dhjetor) edhe iu turrëm marketeve. Të ekzaltuar pas pijeve e pas mishrave, pakkush i pamë fytyrat e zbehta të punëtorëve të supermarketëve. 15 a 16 orë në këmbë gjatë ditës, për një pagë që është sa gjysma e asaj të mësuesit. Skllavërim modern. Poshtërim total. Njerëz të lënë plotësisht në mëshirë të fatit dhe bosëve të tyre të pangopshëm. Këta nuk guxojnë të protestojnë, as të bëjnë grevë. Mjafton të marrin frymë dhe të hanë bukë. Këta që janë vëllezërit, motrat, bijtë dhe bijat tona. Mos të harrojmë, shumica me diploma. Prandaj, para se t’ua rritni rrogat të punësuarve në sektorin publik, aman le të bëjë dikush diçka për ta.

E prapë duhet mu kthy e me thanë se kjo kategori është shumë më mirë, sesa ata që punojnë tanë ditën në skele. Verës me fytyrë prej diellit e dimrit në temperatura minus. Pa kontrata, pa siguri në punë, pa mbrojtje. Fundin tragjik të disa prej tyre e dimë tashmë. Dhe, shteti ka bërë shumë pak për ta. Ky shtet që po i kërkohen miliona euro për paga në sektorin publik, është edhe i tyre.

S’po du me shku ma gjatë me shembuj të tillë. Ka plotë e përlotë. Mos t’i përmendi edhe ata që po ikin nga Kosova, edhe makiatot ma të mira në botë të kamerierëve më diploma etj. Nuk po flas as për cilësinë në arsim, as për pabarazinë e madhe në sektorin publik.

Por, du me të thanë ty babë dhe krejt kolegëve të tu arsimtarë, se problem në këtë shtet janë të papunët dhe të punësuarit në sektorin privat. Nëse dikush duhet më protestu dhe më shpreh pakënaqësi në këtë vend, të parët janë ata. E krejt në fund ju dhe ne të tjerët.

E di që e meritoni edhe më shumë; e di që një arsimtar të mirë nuk ka para, as ar, as vlerë monetare qe e paguan. Por, kjo është Kosova jonë. Në të tilla rrethana jetojmë. Mos u bani që nuk po i shihni.

Prandaj, ju, ne dhe të gjithë njerëzit e arsyeshëm duhet të hymë në greva, duhet të protestojmë, por jo për vete, por për këto kategori. Sepse edhe ata janë Kosovë. Sepse edhe ata meritojnë një jetë më të mirë edhe më të dinjitetshme.
Për këto arsye unë nuk e përkrahi grevën tuaj dhe asnjë grevë tjetër në sektorin publik. Ndoshta është normale me qenë pak egoistë, por ky egoizëm të mos na kalojë në primitivizëm.