Sikurse edhe vet emri i tij që simbolizon trimërinë, zgjuarsinë, guximin dhe dashurinë e përjetshme ju njohim tani me Uliksin tonë, shqiptarin e vetëm në botë që stërvitë ushtritë dhe policitë më të fuqishme në SHBA e Evropë!

Uliks Gjonaj, djaloshi i lindur nē Plankqor të Gjakovës, pasi kaloi shumë sfida të paimagjinueshme, arriti të bëhet instruktori i vetëm i instruktorëve, jo vetëm në Evropë, por edhe në SHBA!

Fjalëpak, i qetë, modest e me rrënjë arbërore, ai sakaq u bë shqiptari i dëgjuar i botës, duke e bërë krenar tërë kombin, mbarë!

Po kush është, në të vërtet Uliks Gjonaj dhe si ishte rruga e tij deri tek titulli instruktor i instruktorëve, lexoni intervistën dhënë Telegrafit!

Z. Gjonaj, jeni i certifikuar ndër dhjetë instruktorët më të mirë në botë për shumë disiplina në fushën e sigurisë. Sa i vështirë ishte ky rrugëtim?

Në fakt unë jam i certifikuar në shumë disiplina apo sisteme duke filluar nga sistemi Izraelit Commando Krav Maga – Instruktor i nivelit të tetë, pastaj i certifikuar dhe i licencuar si ekspert dhe Instruktor i Instruktorëve nga Departamenti i Policisë Amerikane në këto sisteme: Police Combat, Counter-Terrorism, S.W.A.T. Training, High Risk Traffic Stops, Smart Defense, CQB Military Training, Close Protection Operations etj.

Ky rrugëtim nuk ishte i lehtë për mua. Sinqerisht është një punë që bëhet me përkushtim të madh, ka lodhje ka sakrifica, pastaj udhëtime nëpër shtete të ndryshme të Amerikës, nëpër Akademi të ndryshme për të mësuar dhe trajnuar programe të reja policore.

Shteti Amerikan vlerëson personat e aftë dhe nuk është e lehtë të fitosh një licencë apo të certifikohesh lehtë nga Departamentet Policore të shtetit Amerikan.

Njiheni si shqiptari i vetëm që stërvitë policitë dhe ushtritë më të forta ose elitare në shumë vende si në SHBA e në Evropë. Cilat janë teknikat tua kryesore?!

Unë jam shqiptari i vetëm që trajnoi Policitë më Elitare në botë në SHBA si (S.W.A.T., Sheriffs, State Trooper, US Army Airborne etj), pastaj në Evropë trajnimet me Policinë e Austrisë Zvicrës, Gjermanisë, Polonisë, Kroacisë, Maqedonisë, Shqipërisë etj.

Këto trajnime në Evropë nuk janë prioritet për mua. Prioriteti kryesor për mua është Amerika dhe policia më e fuqishme në botë që është SWAT, DEA, State Trooper, Sheriffs etj.

Sa i përket teknikave dhe sistemeve me të cilat unë i trajnoj Policitë në mbarë botën nuk janë teknika apo trajnime bazike mirëpo këto teknika dhe programe të nivelit të lartë dhe profesional.

Teknikat që trajnoj unë janë nga programet e Police Combat, Counter Terrorism, Arrest and Control, Commando Krav Maga, High Risk Traffic Stops, Smart Defense, Close Protection Operations etj.

Për të mbërritur deri këtu natyrisht nuk ka qenë e lehtë! Ju jeni një shqiptar i Kosovës. Ishit student i mjekësisë dhe e latë atë kur emigruat në Amerikë. Cili ishte momenti i kthesës së madhe të jetës tuaj që ju orientoi në profesionin që keni tani?!

Çdo arritje e tillë në SHBA nuk është e lehtë. Unë jam shqiptar i Kosovës i lindur në Planqor të komunës së Gjakovës. Aty kam përfunduar shkollën fillore, gjimnazin në Gjakovë dhe dy vite të fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë.

Pas luftës kam emigruar në SHBA. Atje pasi përfundova në College Norwalk CT si asistent i medicinës; pas pak viteve kalova në fushën e sigurisë dhe përsëri me punë dhe vullnet të plotë arrita të përfundoj me sukses dhe të jem ekspert dhe Instruktor i Instruktorëve të Policisë dhe ushtrisë ndërkombëtare.

SWAT, State Trooper, ushtritë e policitë më të rëndësishme ndërkombëtare mbajnë nënshkrimin tuaj të certifikimit! A është përgjegjësi sa edhe nder e privilegj kjo gjë?

Është mëse e vërtetë se shumë polici dhe ushtri ndërkombëtare janë të certifikuar nga unë në shumë disiplina. Kuptohet është përgjegjësi edhe privilegj! Pse e them këtë?! Se përgjegjësi është se nuk i certifikoi pa meritë dhe privilegj është që trajnoj polici dhe ushtri ndërkombëtare ku përmes trajnimeve të mia ata arrijnë rritjen e nivelit profesional në fusha të ndryshme.

Jeni i vetmi instruktor i instruktorëve në Evropë por tash së fundmi në SHBA keni kryer edhe një tjetër trajnim? Çfarë ishte saktësisht?

Unë në SHBA gati çdo muaj udhëtoj për trajnimet dhe programet më të reja policore që dalin nga Instituti i Policisë Amerikane apo nga vendi ku krijohen ato teknika. Tani para tri javësh, isha në SHBA dhe te Elita e Instruktorëve nga të gjitha shtetet e Amerikës u takuam në Minnesota ku shikuam programet e reja policore për vitin 2022 si ato për SWAT SWAT, Sheriffs në High Risk Traffic Stops, Arrest and Control etj.

Uliksi i shqiptarëve trajnon edhe policinë shqiptare! Dimë se jeni pritur në Maqedoninë e Veriut zyrtarisht, Serbia ju ka ftuar, por nuk keni pranuar të shkoni! Në maj ju do të mbani një trajnim në Shqipëri! Cili është bashkëpunimi me policitë shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës?!

Maqedonia e Veriut më ka ftuar në mënyrë institucionale dhe më kanë pritur jashtëzakonisht mirë. Kam mbajtur një trajnim në Shkup. Serbia më ka ftuar për një trajnim shumëditor dhe më kanë thënë “ne jemi shtet që i vlerësojmë profesionistët kur “Kosova e Metohia” nuk i vlerëson njerëzit e vet, këtu jeni të mirëseardhur”! Nuk kam shkuar për shkaqe objektive!

Me Kosovën nuk kam bashkëpunim, sepse nuk më kanë ftuar asnjëherë. Me Policinë shqiptare kam pas shumë trajnime me RENEA, FNSH, Briskun, Shqiponjat!

Në muajin maj kemi një trajnim të nivelit profesional ‘Close Protection Operations’ që do të mbahet në Tale-Lezhë, ku do jenë pjesëmarrës elitë nga Evropa dhe SHBA.

Jeni nderuar me medalje e dekorata, mirënjohje e falënderime! Keni themeluar Akademinë tuaj dhe trajnoni vazhdueshëm student, vajza e djem me pasion për këtë punë! Jeni shtetas amerikan e zviceran? Çka ju lidhë kaq shumë me vendlindjen sepse ju shohim shpesh edhe në Kosovë e Shqipëri?

Kam themeluar Akademinë time nga 2015, ‘Commando Defense Academy Swiss’, me programet më të reja policore dhe ushtrake.

‘Commando Defense Academy Swiss’ trajnon edhe programe për civil që dëshirojnë ta përgatisin veten në vetëmbrojtje dhe fusha të tjera të sigurisë.

Jam i dekoruar me mirënjohje nga ushtarët e NATO s, Policia dhe ushtria amerikane, policia austriake, zvicerane, kroate, maqedonase, shqiptare, etj.

Me Kosovën me lidhë familja, miqtë shokët, është vendi ku kam lindur. Në Shqipëri, kam familjar sepse gjyshi im është i lindur në Laç. Po ashtu me Shqipërinë më lidhin shumë edhe trajnimet që i organizoj çdo vit atje!

Dijmë shumë për instruktorin e instruktorëve por pak dijmë për Uliksin njeri, Uliksin baba, bashkëshort…mendon ta transmetosh tek fëmijët këtë profesion?

Kohën e lirë që e kam i kushtohem fëmijëve të mi. Poashtu edhe bashkëshortes sime i ndihmoj në gjërat e përbashkëta familjare. Nuk jam person ashtu siç më thonë “i rrezikshëm”. Jam shumë i qetë, shumë i thjeshtë si brenda shtëpisë, ashtu edhe jashtë shtëpisë. I tillë jam me ata që më rrethojnë, me shokët dhe miqtë.

Profesionin tim nuk dua t’ua imponoj fëmijëve të mi. Në qoftëse dëshirojnë më kanë mua dhe do t’u ndihmoj deri në fund, mirëpo në qoftëse dëshirojnë profesione tjera, përsëri më kanë mua krah që mund t’ju ndihmoj deri në fund.

Çfarë do t’u propozoje lexuesve të Telegrafit nëse duan të jenë një ditë “Uliks”?!

Çdo profesion e ka vlerën dhe vendin e vet, mirëpo në Kosovë dhe Shqipëri, për fat të keq, mendoj, që nuk vlerësohen vlerat. Unë vlerat dhe profesionalizmin tim nuk e fitova as në Kosovë, as në Shqipëri, e as në Evropë. Ishte Amerika që më shkolloi, më përgatiti për këtë që jam sot dhe SHBA më vlerëson në maksimum.

Sidoqoftë asnjëherë mos u dorëzoni se ndoshta fati ju sjell në një shtet ku vlerësohen të diturit ose e them, dhashtë Zoti të bëjë ndonjë mrekulli që diturinë tonë ta japim në vendin tonë e jo në vendet tjera të botës. /Telegrafi/