Nga: Frank Ledwidge / The Guardian
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Reklama

Në një fjalim të vitit 1941, në një anije të Marinës Mbretërore, Winston Churchilli ia drejtoi ShBA-së vërejtjet e fundit: “Na jepni mjetet dhe ne do ta përfundojmë punën”. Pas një fitoreje të rëndësishme në Herson dhe duke qëndruar në portat e Krimesë përballë ushtrisë ruse që përpiqet dëshpërimisht të forcojë mbrojtjen e saj të shkatërruar, Ukraina ka trupat dhe moralin për të mbrojtur atë që ka. Megjithatë, përkundër njëfarë ndihme perëndimore, ukrainasve u mungojnë mjetet – tanket, raketat dhe aeroplanët – për të rimarrë tokën e tyre dhe për të imponuar disfatën strategjike mbi rusët. Nëse Perëndimi, dhe veçanërisht ShBA-ja, janë serioze për të ndihmuar në mbrojtjen e Ukrainës, vendimet për rritjen e ndihmës ushtarake duhet të merren që tani. Nëse Ukraina do të jetë në gjendje të sigurojë të ardhmen e saj pas fitores – duke supozuar se kjo është ajo që Perëndimi vërtetë dëshiron – forcat e saj duhet të fillojnë të kalojnë në pajisjet e standardeve të NATO-s.

Reklama
Reklama

ShBA-ja ende nuk ka deklaruar ndonjë objektiv politik apo ushtarak. Megjithatë, në prill, sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se dëshiron “ta shoh Rusinë të dobësuar deri në atë pikë sa të mos mund të bënte më gjërat e tilla, si pushtimi i Ukrainës”. A është qëllimi i Shteteve të Bashkuara për të mbështetur me të vërtetë përpjekjet ushtarake, për të kthyer kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës? Apo, u përshtatet vendimmarrësve amerikanë dhe perëndimorë që të mbështesin një luftë të gjatë, me forcat ukrainase të përdorura si mjet për të përgjakur forcat e armatosura të Rusisë? Natyrisht, këto nuk janë aspak e njëjta gjë. Shumë shpejtë duhet të merren vendimet për rritjen e mbështetjes ushtarake dhe ato vendime do të na tregojnë se cili objektiv po ndiqet.

Reklama
Reklama

Me përjashtim të kolapsit të forcave ruse (që është e mundur), pa një ndryshim të dobishëm në furnizimet me armë, nuk ka gjasa që ukrainasit të jenë në gjendje të mposhtin Rusinë. Sigurisht, gjenerali Mark Milley, kryetari i Shtabit të Përgjithshëm të ShBA-së, mendon se nuk do të ketë fitore të shpejtë dhe ai ka frikë nga një ngërç i llojit të Luftës së Parë Botërore. Me nivelet e forcës dhe armët që kanë tani, mund të ketë të drejtë. Teksa administrata ka punuar për të “spastruar” këto vërejtje, ato pothuajse me siguri pasqyrojnë perspektivën e forcave të armatosura të ShBA-së.

Reklama

Në shtator, homologu i tij ukrainas, gjenerali Valerii Zaluzhny, tregoi se si synon të arrijë fitoren, duke filluar me ngritjen mes 10 dhe 20 brigadave (d.m.th. deri në 100 mijë trupa). Këto trupa do të jenë në gjendje të mbajnë tokën që kanë tani, por nëse nuk janë të trajnuar dhe pajisur siç duhet, nuk kanë gjasa të jenë të afta për veprime të qëndrueshme sulmuese – për të përfunduar çlirimin e vendit. Tri forma shtesë të sistemeve të armëve, shumica prej tyre amerikane, janë jetike: armatura e rëndë, raketat me rreze të gjatë dhe mbrojtja ajrore.

Reklama

Së pari, automjetet e rënda të blinduara, veçanërisht tanket. Siç qëndrojnë gjërat, forcat e armatosura të Ukrainës mbeten kryesisht të pajisura me mjetet ruse ose ish-sovjetike. Pavarësisht ndihmës nga vendet e NATO-s, kryesisht në formën e rezervave të padëshiruara ish-sovjetike nga vendet e ish-Traktatit të Varshavës, më shumë se gjysma e flotës së tankeve të Ukrainës përbëhet nga automjetet e kapura ruse. Ukraina vazhdimisht ka kërkuar më shumë forca të blinduara dhe më të mira, për të mbështetur fushatat e saj për të rimarrë territorin e pushtuar. Tanku amerikan M1 Abrams është testuar në betejë dhe është një brez përpara çdo gjëje që ka mbetur në arsenalin e Rusisë. Nga rreth tre mijë tanke që ShBA-ja ka në rezervë, ukrainasve do t’ju duheshin më pak se një mijë për të pajisur brigadat e tyre të reja. Të njëjtat konsiderata vlejnë për lirimin e deri në dy mijë transportuesve të blinduar Bradley – për personel, që janë dëshmuar në mënyrë të njëjtë në betejë – për të mbrojtur këmbësorinë ukrainase. Evropa mund të furnizojë me pajisje të shkëlqyera të standardeve të NATO-s, përfshirë tanket, por këtë nuk do ta bëjë. Ky mund të jetë një bekim, pasi një flotë e vetme e madhe tankesh dhe automjetesh të blinduara – të cilat ShBA-ja mund t’i furnizojë pa ndikuar seriozisht në gatishmërinë e vet ushtarake – ka kuptim shumë më të mirë se flotat e shumta, secila me mirëmbajtjen dhe detajet e veta logjistike. Furnizimi me tanket amerikane, për disa muaj ka qenë “në tavolinë”. Kjo duhet të kalojë nga tavolina drejtë në anije dhe në trena.

Reklama

Së dyti, një nga pikat kryesore të suksesit të Ukrainës ka qenë sistemi i raketave të artilerisë së prodhuar nga ShBA-ja, Himars, që ka shkatërruar rezervat e municionit të Rusisë dhe ka luajtur rol të madh në kompensimin e avantazhit të artilerisë së Rusisë. Rusia nuk ka përgjigje për këtë. Megjithatë, gama e municioneve raketore që aktualisht kanë, u lejon atyre që të sulmojnë vetëm objektivat deri në 50 kilometra ose më shumë prapa linjave të armikut. Ukrainasit kanë kërkuar vazhdimisht raketat ATACMS (ose Sistemi i Raketave Taktike të Ushtrisë), me rreze deri në 300 kilometra, për lansuesit Himars. Këto do të rrezikonin bazat ushtarake të Rusisë në Krimenë e pushtuar nga Rusia, ose diku tjetër – shumë prapa linjave. Objektivat mund të përfshijnë flotën e Detit të Zi në Sebastopol, ose lansuesit e droneve ruse dhe iraniane që aktualisht po shkatërrojnë civilët e Ukrainës.

Reklama
Reklama

Së fundi, Ukraina ka nevojë për shtim të aftësive të mbrojtjes ajrore. Çuditërisht, aeroplanët luftarakë ukrainas janë ende në veprim. Gjatë një ose dy viteve të ardhshme, do të duhet të riarmatoset me aeroplanët perëndimorë. Aeroplani i përmendur më shpesh është ai luftaraku amerikan F-16, shtylla kryesore e shumë forcave të NATO-s dhe e forcave tjera ajrore. Ka shumë nga këto në dispozicion. Megjithatë, ato kërkojnë mirëmbajtje intensive dhe ndoshta nuk janë të përshtatshme për fushat ajrore të Ukrainës. Por, ka opsione të tjera, siç është aeroplani suedez Saab Gripen.

Për më urgjentisht, kërkohen dhjetëra lansuesit më të fundit anti-ajror dhe anti-raketor për të ofruar mbrojtje sistematike, efektive dhe të qëndrueshme të Ukrainës dhe të popullit të saj të rrethuar. Ukrainasit kanë kërkuar lansuesit e nivelit të lartë amerikan, Patriot, dhe ato italo-franceze SAMP/T, për të rrëzuar raketat balistike. Sistemet perëndimore tashmë të dorëzuara, një gjerman IRIS-T dhe dy norvegjeze-amerikane NASAMS, janë pjesë e vogël e asaj që nevojitet.

Reklama
Reklama

Mënyra më e mirë për qenë të sigurt se Rusia është, sipas fjalëve të Lloyd Austin, “e dobësuar deri në pikën ku nuk mund të bëjë gjëra të tilla si pushtimi i Ukrainës”, është t’i armatosim siç duhet aleatët tanë për t’i mposhtur ata dhe për ta penguar Rusinë në të ardhmen. Nëse do të lejohet ndonjëherë të bashkohet me NATO-n, Ukraina e armatosur me arsenal relativisht modern të armatimit të rëndë të standardeve të NATO-s, do të bëhej – si Suedia apo Finlanda dikur neutrale – e aftë të operojë me aleatët perëndimorë për të siguruar kufijtë e vet dhe ata të NATO-s.

Reklama

Nuk ka kohë për vonesa: do të duhen shumë muaj për t’i furnizuar këto pajisje thelbësore dhe për të trajnuar trupat për t’i përdorur dhe mirëmbajtur ato. Rritja e furnizimit me armë do të tregonte se ShBA-ja ka hapur arsenalin e demokracisë me qëllimin e qartë për fitore.

Reklama

Më e rëndësishmja, do të shmangte një konflikt të gjatë dhe të përgjakshëm, pa asnjë garanci për suksesin e Ukrainës. Marrja e kësaj të drejte do të shkurtojë luftën dhe do të shpëtojë jetën e mijëra ukrainasve dhe – meqë ra fjala – të rusëve. /Telegrafi/