LAJMI I FUNDIT:

Ukraina ftohet në një takim të NATO-s, Hungaria del kundër

Ukraina ftohet në një takim të NATO-s, Hungaria del kundër

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto tha të mërkurën se vendimi për të ftuar Ukrainën në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s, “minon parimin e unitetit të aleancës”.

Komentet pasojnë një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel të martën për të shënuar pranimin e Finlandës në aleancën ushtarake.


Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba ishte i pranishëm në takim, pavarësisht faktit se Ukraina nuk është aktualisht anëtare e NATO-s.

Hungaria vazhdimisht ka kundërshtuar përfshirjen e aleancës ushtarake në luftën mes ukrainasve dhe rusëve, raporton cnn.

Szijjarto tha se Hungaria shpreson se “askush nuk do të vërë në dyshim vlefshmërinë e vendimit të mëparshëm të aleancës që deklaronte se NATO nuk do të ishte palë në luftën që po zhvillohet në vendin tonë fqinj”.

“Gjithçka duhet bërë për të parandaluar një konflikt të drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Rusisë”, shtoi ai.

Ndryshe, Kryeministri hungarez, Viktor Orban ka qenë deri më tani aleati më i afërt i Kremlinit brenda bllokut evropian. Pasi Putin urdhëroi trupat ruse të pushtonin Ukrainën vitin e kaluar, Orban ngurroi që t’i vendos sanksione Rusisë.

Shefi i shtabit të Orbanit tha gjithashtu se Hungaria nuk do ta arrestonte presidentin rus, Vladimir Putin nëse do ta vizitonte shtetin hungarez, pavarësisht se Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi një urdhër arresti për të. /Telegrafi/