LAJMI I FUNDIT:

Ukraina duhet të arrijë marrëveshje për mineralet, thotë këshilltari i Trump

Ukraina duhet të arrijë marrëveshje për mineralet, thotë këshilltari i Trump

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duhet të kthehet në tryezën e bisedimeve dhe të arrijë një marrëveshje për qasjen e SHBA-së në mineralet kritike të Ukrainës.

Kështu siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ka thënë këshilltari për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Mike Waltz.

Të mërkurën, Zelensky hodhi poshtë kërkesat e SHBA-së për një pjesë të mineraleve të saj të tokës së rralla – një “marrëveshje” që Trump tha se do të pasqyronte sasinë e ndihmës që SHBA i kishte ofruar Ukrainës gjatë luftës së saj me Rusinë.


Ukraina ka depozita të mëdha elementesh dhe mineralesh kritike, duke përfshirë litiumin dhe titanin, si dhe depozita të konsiderueshme të qymyrit, gazit, naftës dhe uraniumit – një furnizim me vlerë miliarda dollarë.

Më herët të enjten, Waltz sugjeroi që aksesi i SHBA-së në mineralet e rralla në Ukrainë mund të shkëmbehej në këmbim të ndihmës – ose edhe si kompensim për mbështetjen që SHBA-së ka dhënë tashmë.

“Ne i paraqitëm ukrainasve një mundësi të jashtëzakonshme dhe historike”, tha këshilltari, duke shtuar se do të ishte “e qëndrueshme” dhe “garancia më e mirë” e sigurisë që Ukraina mund të shpresonte.

Por Zelensky e kishte refuzuar ofertën, duke thënë: “Unë nuk mund ta shes shtetin tonë”.

Komentet e Waltz në Shtëpinë e Bardhë erdhën menjëherë pas përfundimit të takimit të Zelensky me Keith Kellogg, i dërguari kryesor i SHBA në Ukrainë në Kiev, pas së cilës udhëheqësi ukrainas njoftoi se ishte gati të bënte një “marrëveshje investimi dhe sigurie” me SHBA-në për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. /Telegrafi/