UFO në formë patateje gjigante - Pentagoni deklasifikon një grup të ri dokumentesh


Pentagoni ka deklasifikuar një seri të re dokumentesh, mes të cilave përfshihet edhe një raport që përshkruan një objekt të paidentifikuar fluturues mbi shtetin amerikan Kolorado.
Sipas dëshmive të përfshira në raport, objekti është vërejtur nga personel ushtarak dhe një oficer i inteligjencës, të cilët e kanë përshkruar atë si një “patate fluturuese”.
Raporti thotë se objekti qëndronte pezull mbi zona malore, kishte formë këndore, ishte pjesërisht i tejdukshëm dhe dukej sikur ndryshonte formë gjatë lëvizjes në ajër, raporton newyorktimes.
Dëshmitarët kanë deklaruar se ai ishte përafërsisht me madhësinë e një aeroplani, qëndroi i palëvizshëm në lartësi të ulët dhe më pas u zhduk papritur.
Më vonë, objekti është rikonstruktuar në një skicë nga një artist i FBI-së, bazuar në përshkrimet e dëshmitarëve.
Në raport përmenden edhe shpjegime të mundshme, përfshirë një iluzion optik të shkaktuar nga drita, bora dhe retë. Megjithatë, autorët e dokumentit theksojnë se kjo teori ka “nivel të ulët besueshmërie”, duke lënë të hapura edhe mundësi të tjera.
Dokumentet e deklasifikuara vazhdojnë të nxisin debat mbi natyrën e fenomeneve të paidentifikuara ajrore dhe transparencën e institucioneve amerikane në trajtimin e tyre. /Telegrafi/





































