Udhëzim i ri në Britani për emigrantët shqiptarë

Vendimi i gjykatës ndryshon procedurat e deportimit.
Një vendim i fundit i drejtësisë britanike mund të pengojë deportimin drejt Shqipërisë të shumë të rinjve të identifikuar si viktima të trafikimit.
Vendimi vjen pas çështjes së një 21-vjeçari shqiptar, i cili ishte trafikuar fillimisht nga një grup kriminal në Belgjikë dhe më pas ishte dërguar në Britani, ku ishte detyruar të punonte në kultivimin e kanabisit.
Edhe pse u njoh si viktimë trafikimi, atij iu refuzua azili, me argumentin se mund të kthehej në mënyrë të sigurt në Shqipëri.
Por tre gjyqtarë të lartë të gjykatës së emigracionit vendosën se i riu vijonte të përballej me rrezik real nga trafikantët, edhe pesë vite pas shfrytëzimit.
Gjykata nxori gjithashtu udhëzime të reja që autoritetet britanike duhet t’i marrin parasysh përpara se të deportojnë viktima meshkuj të trafikimit.
Kjo me argumentin se në vend mungojnë strukturat e posaçme për të trajtuar kategori të tilla.
Sipas të dhënave të paraqitura në gjyq, djemtë dhe burrat e rinj shqiptarë janë tashmë grupi më i madh i viktimave të trafikimit në Britani./Tv Klan





































