LAJMI I FUNDIT:

Udhëheqësi i lartë i GRU-së ruse i përfshirë drejtpërdrejt me shpërthimin e depos së armëve në Çeki

Udhëheqësi i lartë i GRU-së ruse i përfshirë drejtpërdrejt me shpërthimin e depos së armëve në Çeki

Më 25 shtator 2014, gjeneralmajori Denis Sergeev dhe nënkoloneli Egor Gordienko fluturuan nga Moska për në Gjenevë. Ata udhëtuan nën identitetin e rremë si, Sergey Fedotov dhe Georgy Gorshkov të lëshuar nga Shërbimi Ushtarak rus i Inteligjencës (GRU).

Bellingcat më vonë do ta identifikonte Sergeevin si “njeriun e tretë” në operacionin e helmimit të Sergei dhe Yulia Skripal në vitin 2018 dhe përfshirjen e tij në helmimin e prodhuesit bullgar të armëve, Emilian Gebrev.

Pasi arritën në Gjenevë, Sergeev dhe Gordienko morën me qira një veturë BMW 116i. Në kohën kur të dy e kthyen makinën te kompania, pesë ditë më vonë, ata kishin udhëtuar 545 kilometra. Një hulumtim i mëhershëm kishte zbuluar se gjatë udhëtimeve në Gjenevë, telefoni i Sergeevit kishte qenë në zonën e Chamonix, një pjesë turistike 60 kilometra larg qytetit.

Mediat franceze raportuan më vonë që shërbimet e inteligjencës perëndimore kishin zbuluar se Njësia 29155 kishte vendosur një bazë të fshehtë logjistike në këtë pjesë. Nuk është e sigurt se cili ishte qëllimi i këtij udhëtimi, por gjatë këtyre ditëve Sergeev komunikoi në mënyrë aktive me shefin e tij, gjeneralkolonel Andrey Averyanov. Të dhënat e bisedave telefonike tregojnë se Sergeev gjithmonë mbante kontakte të ngushta me Averyanov (duke përdorur telefona ajror) gjatë të gjitha operacioneve të tij jashtë shtetit – përfshirë operacionin e helmimit të Skripalëve.

Përfshirja e gjeneralkolonelit Andrey Averyanov

Më 2 tetor 2014, komandanti i dy spiunëve – Andrey Averyanov – rezervoi biletën e aeroplanit për një udhëtim nga Moska për në Lisbonë. Averyanov po udhëtonte si turist nën identitetin e rremë Andrey Overyanov – ndryshe nga emri i tij i vërtetë. Nuk është e qartë nëse gjenerali i GRU-së kishte nevojë të takonte dikë në kryeqytetin Portugez apo thjesht kishte nevojë të hynte në hapësirën Shengen përmes vendit që kishte lëshuar vizën.

Ai kishte blerë një biletë për të udhëtuar më 7 tetor nga Lisbona për në Vjenë, por nuk e përdori atë. Në vend të kësaj, po atë ditë, Averyanov mori një fluturim për në Gjenevë ku Sergeev dhe Fedotov po e prisnin. Ai u kthye në Moskë dy ditë më vonë me një fluturim përmes Varshavës.

Të nesërmen, Averyanov dhe katër anëtarë të tjerë të Njësisë 21955 raportuan se janë duke punuar nga selia e GRU-së në Moskë.

Komandanti i GRU-së, Andrey Averyanov dhe nënkoloneli Egor Gordienko

Fluturimet e koordinuara

Më 7 tetor 2014, gjeneralkoloneli Averyanov përsëri duke përdorur pasaportën e tij me identitetin e rremë, rezervoi një fluturim Aeroflot për në Vjenë. Kthimi ishte më 15 tetor.

Në të njëjtën kohë, nënkoloneli Nikolay Yezhov, gjithashtu anëtar i Njësisë 29155, bleu një biletë për të fluturuar në Vjenë më 11 tetor, duke planifikuar të mbërrinte dy ditë para shefit të tij. Ashtu si Averyanov, ai bleu një biletë kthimi për 15 tetor, ku do të udhëtonte nën emrin e rremë Nikolay Kononikhin.

Në të njëjtën kohë, dy anëtarët e tjerë të Njësisë 29155 – Alexandar Mishkin dhe koloneli Anatoli Chepiga, blenë biletat e tyre për të udhëtuar në Evropën Qendrore. Ashtu si Yezhov, ata do të fluturonin më 11 tetor në Pragë, jo në Vjenë. Ata rezervuan biletat e tyre si shitës të ushqimit sportiv, nën identitetin e rremë Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov – të njëjtit do të shfaqeshin katër vjetë më vonë si turistë në kanalin televiziv RT. Të dhënat tregojnë se ata nuk kishin blerë bileta për t’u kthyer, duke lënë datën e kthimit të hapur.

Dy anëtarë të tjerë të Njësisë 29155 kishin blerë gjithashtu bileta atë mëngjes. Ndryshe nga të tjerët, ata do të fluturonin me emrat e tyre të vërtet – Alexey Kapinos dhe Evgeniy Kalinin. Për më tepër, të dy do të udhëtonin nën mbulesën e diplomatëve në një udhëtim zyrtar në ambasadën ruse në Budapest.

Lëvizjet e operativëve të GRU-së në ditët para shpërthimit të depos së municioneve në Vrbětice

“Pelegrinazhi” në Vrbětice

Gjatë ditëve të ardhshme, pesë agjentët e GRU-së u bashkuan në Evropë Qendrore. Petrov dhe Boshirov arritën në Pragë më 11 tetor, u regjistruan në një hotel dhe madje publikuan një foto në mediet sociale nga pjesa e vjetër e qytetit. Publikimi i kësaj fotoje do të mundësonte gjurmimin e helmit të Skripalëve.

Në të njëjtën kohë, Nikollay Yezhov zbarkoi në Vjenë. Më 13 tetor, shefi i Yezhovit, Andrey Averyanov, arriti në Vjenë. Në të njëjtën ditë, Boshirov dhe Petrov u zhvendosën nga Praga në Ostrava, rreth një orë larg me makinë nga depoja e municionit, ku u vendosen në Hotel Corrado. Regjistrimet tregojnë se telefoni i Averyanovit u kyç me rrjetet austriake vetëm për disa orë pas mbërritjes së tij më 13 tetor dhe nuk u kyç deri në pasditen e 16 tetorit.

Sipas një hipoteze, Yezhov dhe Averyanov shkuan në Ostrava – pak më shumë se tre orë me makinë nga Vjena – ku dy agjentët u takuan me Mishkinin dhe Chepigan, si dhe me gjasë me dy oficerët Kapinos dhe Kalinin – për të ndihmuar në përgatitjen për vendosjen e eksplozivëve me telekomandë në një depo të municioneve në Vrbětice.

Nuk është ende e qartë kur dhe si ekipi i GRU-së arriti në vendin e depos së municioneve për të vendosur eksplozivët. Siç zbulohet nga policia dhe mediet çeke, Chepiga dhe Mishkin, duke u paraqitur si blerës të armëve nga Garda Popullore e Taxhikistanit, kërkuan që të sillen në vendin depos ndërmjet datave 13-17 tetor nga kompania Imex.

Është e paqartë nëse të dy kanë hyrë në depo përmes kontaktit të tyre me Imex ose përmes një rruge tjetër – përfshirë një kompani tjetër të sigurimit fizik. Sidoqoftë, në orën 09:25 të 16 tetorit, depoja e municioneve numër 16 shpërthen, duke shkatërruar 58 ton municion dhe vrarë dy punëtorë të sigurimit.

Fotografitë e pasaportave të përdorura nga Alexandar Mishkin dhe Anatoly Chepiga

Kthimi në Moskë

Disa minuta pasi shpërtheu kjo depo, Anatoly Chepiga dhe Alexandar Mishkin hipën në aeroplanin e tyre Aeroflot nga Vjena për në Moskë. Fluturimi u regjistrua në ora 10:05 të mëngjesit.

Dy oficerët e tjerë të GRU-së, gjeneralkoloneli Averyanov dhe nënkoloneli Yezhov u kthyen përsëri në Vjenë po të njëjtën ditë dhe shkuan direkt në aeroport.

Averyanov, i cili kishte humbur fluturimin e tij të kthimit një ditë më parë, bleu një biletë të re në Aeroportin e Vjenës në ora 18:17, duke fluturuar për në Moskë në orën 22:46.

Yezhov, i cili gjithashtu kishte humbur fluturimin e tij të kthimit një ditë më parë, për disa ditë nuk fluturoi për në Moskë. Ai qëndroi në Austri dhe bëri disa rezervime paraprake për një fluturim kthimi midis datave 27 tetor dhe 2 nëntor, duke fluturuar përsëri për në Moskë më 3 nëntor 2014.

Një operacion i sofistikuar

Gjetjet e Bellingcat në këtë hulumtim vërtetojnë deklaratat e autoriteteve çeke që e lidhin Njësinë 29155 të GRU-së me shpërthimet e vitit 2014. Ata gjithashtu paraqesin pamjen e një operacioni shumë më të sofistikuar sesa mendohej më parë, duke përfshirë jo vetëm të paktën gjashtë oficerë të GRU-së, por që duket se është kërkuar pjesëmarrja e drejtpërdrejt të komandantit të Njësisë 29155, gjeneralkolonel Andrey Averyanov.

Komandantët e lartë të inteligjencës të këtij niveli nuk udhëtojnë rregullisht nën emra të rremë për shkak të rreziqeve operacionale dhe hulumtimi i të dhënave tregon se Averyanov udhëtoi vetëm në një mision tjetër, në vitin 2015, me identitet të rremë.

Përfshirja e drejtpërdrejtë e Averyanovit gjithashtu përfshinë ngushtë udhëheqjen politike në Rusi. Ai nuk është vetëm një komandant i vjetër në inteligjencën ushtarake të vendit, Averyanov raporton drejtpërdrejt te drejtori i GRU-së. Gjithashtu komunikon drejtpërdrejt me Kremlinin, duke përfshirë zyrën e ministrit të Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov me të cilin ai komunikoi vazhdimisht para dhe pas helmimit të Skripalëve.

Veçanërisht, qëllimi dhe rëndësia e operacionit për Kremlinin është dhënia e një numri të gradave ushtarake, që u jepen anëtarëve të njësisë që marrin pjesë drejtpërdrejt në mision.

Është raportuar edhe më herët se Alexandar Mishkinit dhe Anatoly Chepigas u është ndarë çmimi më i lartë ushtarak në muajin dhjetor 2014, po ashtu anëtarëve të tjerë të ekipit, përfshirë Gordienkon dhe Yezhovin u është ndarë në të njëjtën kohë gradat ushtarake.

Këto rrethana, të marra së bashku, nënkuptojnë rëndësinë e këtij operacioni për udhëheqjen ushtarake dhe politike të Rusisë, si dhe perceptimin e misionit si një sukses. /KP/

Në trend Botë

Më shumë
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Organizata Botërore Meteorologjike: Ky është një alarm i kuq për botën

Organizata Botërore Meteorologjike: Ky është një alarm i kuq për botën

Botë
Rasti i pazakontë në Kroaci - pensionisti zbret nga një ndërtesë, por jo përmes shkallëve

Rasti i pazakontë në Kroaci - pensionisti zbret nga një ndërtesë, por jo përmes shkallëve

Kroacia
Ajo ngeci në ashensor me njerëz krejtësisht të panjohur, priti ndihmë për katër orë: Historia mori një epilog të pazakontë në Los Angeles

Ajo ngeci në ashensor me njerëz krejtësisht të panjohur, priti ndihmë për katër orë: Historia mori një epilog të pazakontë në Los Angeles

Amerika
Ukrainasit rrëzojnë aeroplanin ushtarak rus që kushton gati 80 milionë euro

Ukrainasit rrëzojnë aeroplanin ushtarak rus që kushton gati 80 milionë euro

Evropa
Kalo në kategori