LAJMI I FUNDIT:

UBUNTU

UBUNTU
Ilustrim

Nga: Eduardo Galeano
Përktheu: Bajram Karabolli 

Një antropolog, për të  provuar disa fëmijë të një fisi afrikan, bëri këtë lojë: vendosi një shportë plot me fruta të shijshëm pranë trungut të një peme dhe u tha:


– Fëmija i parë që arrin pemën dhe prek shportën do t’i fitojë për vete të gjitha frutat.

Antropologu u dha sinjalin e fillimit të lojës, duke menduar se secili nga fëmijët do të vraponte për të marrë frutat për vete, por u befasua kur pa se të gjithë fëmijët nisën të ecnin së bashku, dorë për dore, derisa arritën te pema … Pastaj, të gjithë së bashku, morën shportën dhe i ndanë frutat.

Kur i pyeti pse e bënë këtë, ndërkohë që secili prej tyre mund të kishte marrë shportën e frutave për vete dhe për familjen e tij, fëmijët, të gjithë me një zë, u përgjigjën:

– Ubuntu.

Antropologu, tejet kureshtar, pyet të rriturit e fisit se ç’do të thoshte “Ubuntu”. Ata ia shpjeguan dhe e sqaruan se kuptimi i kësaj fjale ishte: “Unë jam sepse jemi të gjithë …”

Pra, prindërit dhe gjyshërit e atij fisi u ngjiznin fëmijëve, në mendje dhe në shpirt, pyetjen: Si mund të jetë i lumtur vetëm njëri prej nesh, ndërsa të gjithë të tjerët janë në mjerim?

Ky fis “i pashkolluar” njihte të fshehtën e bashkëpunimit dhe solidaritetit, gjë që sot nuk ekziston më në të gjitha shoqëritë që e “kanë kapërcyer” atë etapë “prapambetjeje” dhe që e konsiderojnë veten shoqëri “të civilizuara”.