Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, u mbajt Mbledhja Komemorative në nderim të jetës dhe veprës së profesorit të ndjerë Naim Krasniqi, duke bërë bashkë familjarë, kolegë, bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të institucioneve për të kujtuar kontributin e tij të çmuar akademik dhe profesional.

Ceremonia u hap me fjalën e Rektorit të UBT-së, Edmond Hajrizi, i cili theksoi se profesor Naim Krasniqi do të kujtohet si një akademik i përkushtuar dhe një njeri me integritet të lartë, i cili kontribuoi në formimin e shumë gjeneratave të studentëve dhe në zhvillimin e fushës së bujqësisë në vend.


“Më lejoni që në emër të UBT-së t’ju shpreh ngushëllimet më të thella për humbjen e profesorit, kolegut, mikut dhe anëtarit të familjes tonë, Naim Krasniqit. Personalisht ka qenë një befasi, ishte diçka e papritur sepse vërtet me Naimin kemi pasur shumë punë për të bërë; ishte vetëm fillimi i një angazhimi që kishim nisur bashkë”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi nënvizoi gjithashtu se profesori Krasniqi ishte një shtyllë në rritjen e institucionit. “Naimi ka qenë pjesë e ndërtimit institucional dhe pjesë e historisë së UBT-së, me fokus të veçantë te Fakulteti i Ushqimit dhe ai i Agrokulturës. Arsyeja pse e integruam në strukturën tonë ishte pikerisht kompetenca e tij e lartë profesionale”, tha ai.

Ndërsa, Prof.dr. Kujtim Lepaja, shok dhe koleg i të ndjerit mes së gjithash u shpreh se profesori i ndjerë ishte “agronom që i dha shpirt bujqësisë”.

Prof.dr. Kujtim Lepaja theksoi: “I rritur në një familje me traditë intelektuale dhe atdhedashëse, ai arriti të bëhej një urë lidhëse mes teorisë akademike dhe praktikës në terren”, tha ai.

Eksperienca e Naim Krasniqit ishte e gjerë dhe ndërkombëtare. Pasi përfundoi studimet universitare në vitin 2005, ai u specializua në Institutin Agronomik Mesdhetar në Bari të Italisë gjatë viteve 2010-2012.

Nga viti 2018, ai u bë pjesë e pandarë e Fakultetit të Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT. Përveç auditoreve, profesori la gjurmë edhe në zhvillimin ekonomik të vendit përmes angazhimit të tij si Menaxher i Përgjithshëm në Fondacionin AgroDev dhe bashkëpunimit me organizata si USAID, ku shërbeu në programe për mundësi të reja për fermerë, si dhe në Shoqatën Nacionale “Mjedra e Kosovës” si Sekretar Gjeneral i saj.

“Humbja e tij lë një boshllëk të madh në komunitetin akademik dhe shoqëror, por gjithashtu na kujton trashëgiminë e pavdekshme që ka lënë pas”, tha mes tjerash gjatë përkujtimit dekani Feka.

Në anën tjetër, profesori i Fakultetit të Bujqësisë në UP, Imer Rusinovci, dajë i të ndjerit, e pati të vështirë të mbante fjalimin mes dhimbjes së madhe, duke kujtuar natyrën e tij fisnike: “Sot fjala është e rëndë, ka ditë kur fjala mezi del nga goja sepse dhemb shpirti. Naimi ishte një specialist i vërtetë, bashkëshort dhe babë i vërtetë; ishte dritë për familjen dhe udhërrëfyes për studentët. Naimi u rrit pa babanë e tij Ibrahimin, i cili ra dëshmor i kombit. Nipi im më i mirë vdiq në moshën vetëm 40 vjeç e gjysmë, në kulmin e jetës”, tha dr. Rusinovci.

Ndarja nga jeta e profesor Naim Krasniqit konsiderohet një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë, por për të gjithë sektorin e bujqësisë në Kosovë, të cilit ai i shërbeu me devotshmëri deri në momentet e fundit.

Në emër të familjes foli Rina Krasniqi, si dhe djali i të ndjerit, Nektar Krasniqi.