U bë bast i fituar nga Ilir Daja – Emërllahu tregon si u bë titullar i rregullt nën urdhrat e Dajës dhe çfarë trajneri është 59-vjeçari

I ftuari i radhës në podcastin “Arena e Yjeve” ishte futbollisti i njohur kosovar, Lindon Emërllahu. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle, Air Munich dhe Exfis.
Emërllahu ka folur për periudhën nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja, duke zbuluar mënyrën e rreptë dhe profesionale të punës së tij, si dhe procesin përmes të cilit u vendos hierarkia në ekip.
“Ilir Daja e vendosi gjithçka strikt. Për shembull, kaq lojtarë në stërvitje, kaq lojtarë kështu, dhe na shikonte të gjithëve”, ka treguar Emërllahu.
Ai u ndal edhe te faza përgatitore para udhëtimit në Turqi, duke shpjeguar se si trajneri e ndau grupin për të vlerësuar më mirë lojtarët.
“Ishte faza përgatitore për të shkuar në Antalia. Lojtarët kryesorë, më kryesorët, i la veçmas, ndërsa neve pak më në moshë, që kishte qejf t’i shihte gjithmonë kështu”, ka rrëfyer mesfushori kosovar.
Emërllahu tregoi se fillimisht ishte përfshirë në fund të listës për fazën përgatitore, por gradualisht fitoi besimin e trajnerit përmes paraqitjeve të mira.
“Pas asaj e dërgoi listën në grup. Në listë unë isha i fundit, i 24-ti ose 25-ti për në Antalia. Pastaj, në miqësore mundesh me i provu krejt lojtarët”.
Sipas tij, ndeshjet miqësore ishin momenti kyç për të treguar vlerat e tij, duke përfituar edhe nga përkrahja e lojtarëve me përvojë në fushë.
“Më fuste në miqësore, e tregoja veten, luaja sigurt, sepse po më bie shpesh me e cekë: kur i ke Bajram Jashanicën, Armend Thaçin, në mesfushë Edvin Kuçin, Kushtrim Gashin, është shumë më lehtë”.
Emërllahu zbuloi se besimi i Ilir Dajës kulmoi në garat evropiane, ku trajneri vendosi t’i japë hapësirë edhe në ndeshje të rëndësishme.
“Pastaj, siç e dimë, në Evropë, në Champions League, vendosi me më fut, sepse tha se ka qejf t’i përkrahë të rinjtë, nuk i dihet, mundet me ecë jashtë. Ka punu shumë mirë, kështu që jam falënderues”, ka thënë Emërllahu.
Episodin e plotë me futbollistin Lindon Emërllahu mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/






















































