LAJMI I FUNDIT:

Turizmi nuk është prioritet i Qeverisë

Turizmi nuk është prioritet i Qeverisë

Kryetari i Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës (SHTAK), Baki Hoti, ka thënë se në Kosovë sektori i turizmit vazhdon të neglizhohet nga institucionet e shtetit.

Ai ka thënë se neglizhenca po ndodh te përkrahja e turizmit në panairet ndërkombëtare. “Unë kam potencuar disa herë se institucionet qendrore dhe lokale duhet të punojnë shumë më tepër rreth zhvillimit dhe krijimit të kushteve sa më të përshtatshme për zhvillimin e turizmit. Në këtë drejtim shumë më tepër është bërë nga vetë sektori privat sesa që kishim përkrahjen e shtetit”, ka thënë Hoti në një intervistë për gazetën “Epoka e re”.


Ai ka thënë se institucionet qeveritare ende nuk e kanë parë të arsyeshme ta kenë prioritet pjesën e turizmit kur, sipas tij, dihet se turizmi është një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë së një vendi. “Njëkohësisht turizmi është një gjenerator i fuqishëm i punësimit, sepse nëpërmjet turizmit mund të ketë zhvillim ekonomik dhe punësim, për çfarë të rinjtë tanë kanë shumë nevojë”, ka deklaruar ai. Hoti ka treguar se Kosova do të marrë pjesë në shtator në një panair në Japoni, por ka theksuar se për këtë panair nuk e kanë përkrahjen e shtetit financiarisht. “Nuk kemi asnjë mbështetje nga institucionet tona, pos nga ambasada e Kosovës në Japoni e cila ka shprehur gatishmërinë për t’i koordinuar punët rreth pjesëmarrjes së Kosovës në këtë panair. Përndryshe, asnjë institucion tjetër nuk na ka përkrahur as financiarisht, por as në ndonjë formë tjetër. Kemi dërguar kërkesa në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht te Agjencia për Promovimin e Investimeve, njëkohësisht edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me qëllim që t’i koordinojmë punët dhe ta shikojmë mundësinë rreth këtij panairi, por ende s’kemi marrë asnjë përgjigje”, tha Hoti.

Ai ka bërë thirrje që institucionet qendrore dhe lokale të punojnë më shumë rreth zhvillimit dhe krijimit të kushteve sa më të përshtatshme për zhvillimin e turizmit. /Telegrafi/