LAJMI I FUNDIT:

Trusti: Nuk ka asnjë vendim përfundimtar për tërheqjen e 10 përqindëshit të kursimeve pensionale

Trusti: Nuk ka asnjë vendim përfundimtar për tërheqjen e 10 përqindëshit të kursimeve pensionale

Qeveria e Kosovës në njërën nga nëntë masat e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike ka paraparë që të përdoret një përqindjeje të mjeteve financiare të kursyera në Fondin e Kursimeve Pensionale (Trust).

Lidhur me këtë ka reaguar vetë Trusti, duke thënë se nuk ka asnjë vendim përfundimtar për tërheqjen e 10 përqindëshit.

Masa e pestë e kësaj pako parasheh stimulimin e kërkesës agregate që ka për qëllim rritjen e shpenzimeve të konsumatorëve, e cila nxit prodhimin dhe punësimin me efekte multiplikuese në ekonomi.

“Kthimi i një përqindjeje të mjeteve të kursyera në Trustin Pensional për kontributpaguesit, bazuar në nevojat e tyre, e cila mundësi mund të shfrytëzohet për një periudhë 3-mujore, e cila shumë kompensohet nga shteti brenda pesë viteve”, thuhet në këtë masë, përcjell Telegrafi.

Trusti ka njoftuar nuk ka mundësi askush ende t’i tërheq mjetet nga llogaria.

“Të nderuar kontribuues, këto ditë kemi një fluks të madh të mesazheve dhe vizitave për çështjen e 10%-shit, që është deklaruar nga Qeveria e Kosovës se do t’ju lejohet kontribuuesve t’i tërheqin nga Trusti. Ju njoftojmë se NUK KA ende asnjë vendim përfundimtar për tërheqjen e 10%-shit, andaj nuk ka mundësi askush ende t’i tërheq mjetet nga Trusti. Ne do t’ju njoftojmë me kohë për çdo ndryshim. Ju lutemi, po ashtu, të shmangni vizitat në zyrat tona për çështjen e 10%-shit, pasi kështu po vështirësohet tejet shumë shërbimi i kontribuuesve, kjo për shkak të kufizimeve që janë në fuqi nga pandemia e COVID-19”, ka njoftuar Trusti, përcjell Telegrafi.

Po ashtu, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kishte thënë se do të kërkohet ndryshimi i Ligjit për Fondet Pensionale me qëllim që bëhet e mundur një gjë e tillë.

“Pjesë e masës së Rimëkëmbjes Ekonomike, e kemi që të kthejmë tek kontribuuesit një pjesë të mjeteve në Trust. Le të themi që një qytetar ka të kursyera një pjesë, ku përmes ligjit dhe përkrahjes së deputetëve në Kuvendin e Kosovës, do të mundësojmë që t’i kthejmë një pjesë të madhe, së paku një 10 përqindësh të atyre mjeteve te kontribuuesi në mënyrë që ata t’i kenë për shpenzime të përditshme, që është rreth 170 milionë euro deri 200 milionë euro që kanë kontribuar në fond. Do të kërkojmë nga Kuvendi që të ndryshohet ligji, i cili na mundëson që një pjesë e kontributeve të kthehet në xhirollogari të kontribuueseve”, kishte thënë Hoti në një intervistë për televizionin publik të Kosovës.

Për njohësin e çështjeve financiare dhe ish-anëtarin i Bordit të Trustit, Flamur Keqa, prekja e kursime është në kundërshtim me filozofinë e investimit të kontributeve pensionale.

Sipas tij, qeveria dëshiron të vendos për pronën private të qytetarëve.

Tërheqja e kursimeve pensionale nga qeveria për Pakon e Rimëkëmbjes, Keqa: Është në kundërshtim me filozofinë e investimit
Lexo po ashtu Tërheqja e kursimeve pensionale nga qeveria për Pakon e Rimëkëmbjes, Keqa: Është në kundërshtim me filozofinë e investimit

“Mundësia për të realizuar tërheqjen e një pjese të kontributeve të kursimeve individuale nga investime aktuale me legjislacionin në fuqi është i pamundur. Kjo mund të realizohet vetëm përmes ndryshimeve të ligjit edhe pse ky modalitet pak a shumë është në kundërshtim me filozofinë e investimit të kontributeve pensionale. E keqja me e madhe është se kontribuuesit pensional nuk janë pyetur as për formën e investimeve aktuale e sipas gjasave nuk do të merret opinioni i tyre as për këtë modalitet”, kishte thënë për Telegrafin, Keqa.

Ai kishte shtuar se kjo pjesë në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike është një segment i vogël i mbështetjes.

“Ideja e investimit te kontributeve pensionale në tregjet financiare është gjenerimi i të hyrave shtesë për pensionistët. Prandaj , propozimi i qeverisë nuk është shtjelluar ende mjaftueshëm për opinionin për t’u vlerësuar komprometimi eventual i fitimit dhe sigurisë se mjeteve të kontribuuesve pensional. Do jetë interesant që të shpalosen përvojat e shteteve të marra si mostër edhe pse rezultati nuk mund të vlerësohet për shkak se ndoshta as nuk është filluar me zbatimin e saj. Thelbi është që qeveria dëshiron të vendos për pronën private të qytetareve. Për shkak të ndoshta mos shtjellimit të duhur për publikun nuk e shoh që ky veprim të jetë pjesë e Pakos së Rimëkëmbjes edhe pse padyshim që futja në treg të fondeve shtesë financiare private do të rriste kërkesën agregate dhe rrjedhimisht edhe ofertën në treg. Megjithatë për Pakon e Rimëkëmbjes kjo do të duhej të paraqiste dhe realisht paraqet një segment të vogël mbështetje”, shtoi ai.

Në kuadër pakos për financimin e masave, pritet që të përdoren 170 milionë euro kthime të kursimeve pensionale për kontributpaguesit nga Fondi i Kursimeve Pensionale. /Telegrafi/