Trup i pajetë i një gruaje gjendet në Liqenin e Batllavës, Prokuroria nis hetimet

Një trup i pajetë i një gruaje është gjetur sot në afërsi të fshatit Orllan të Podujevës, në ujërat e Liqenit të Batllavës.
Lajmin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes zëdhënëses Kaltrina Shala.
“Është gjetur një (1) person – grua – pa shenja jete, dhe prokurori kujdestar ka urdhëruar që trupi të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, ka deklaruar Shala.
Sipas saj, Prokuroria ka hapur një rast me cilësimin “Hetim mbi vdekjen” dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke u ndërmarrë të gjitha masat hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Gjatë ditës, në vendin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm njësitet hetimore të Policisë, autoambulanca dhe ekipet e Mjekësisë Ligjore.
Rrethanat e vdekjes së gruas së gjetur në liqen mbeten të paqarta, ndërsa autoritetet kanë nisur procedurat për identifikim dhe hetim të hollësishëm./Telegrafi/









































