Trump: Të shtënat nuk do të ndodhnin nëse do të ndërtohej një sallë e sigurt në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka pretenduar se të shtënat e mbrëmshme "nuk do të kishin ndodhur kurrë" nëse një "sallë vallëzimi e madhe, e sigurt dhe e mbrojtur" do të ndërtohej në territorin e Shtëpisë së Bardhë.
“Ajo që ndodhi mbrëmë është pikërisht arsyeja pse Ushtria jonë e shkëlqyer, Shërbimi Sekret, Zbatimi i Ligjit dhe, për arsye të ndryshme, çdo President gjatë 150 viteve të fundit, kanë kërkuar që një sallë e madhe, e sigurt dhe e mbrojtur të ndërtohet në Shtëpinë e Bardhë”, shkroi Trump në Truth Social.
“Kjo ngjarje nuk do të kishte ndodhur kurrë me sallën sekrete që është aktualisht në ndërtim e sipër në Shtëpinë e Bardhë. Nuk mund të ndërtohet mjaftueshëm shpejt! Ndërsa është e bukur, ajo ka të gjitha veçoritë e sigurisë së nivelit më të lartë që ekzistojnë, plus, nuk ka dhoma sipër ku të hyjnë njerëz të pasigurt, dhe është brenda portave të ndërtesës më të sigurt në botë, Shtëpisë së Bardhë”, shtoi ai.
“Asgjë nuk duhet të lejohet të ndërhyjë në ndërtimin e saj, e cila është brenda buxhetit. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje. President DONALD J. TRUMP”, përfundon postimi.
Ndryshe, më herët këtë muaj, një gjyqtar ndaloi ndërtimin e sallës së vallëzimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
Të gjitha punimet mbi tokë në projektin prej 400 milionë dollarësh të presidentit amerikan duhet të ndërpriten pas vendimit të gjyqtarit të distriktit Richard Leon.
Por puna nëntokësore mund të vazhdojë në një bunker dhe "objekte të tjera të sigurisë kombëtare" në vend, ku dikur ndodhej Krahu Lindor i Shtëpisë së Bardhë, tani i shembur. /Telegrafi/





















































