LAJMI I FUNDIT:

Trump propozon tarifa të reja për Kinën

Trump propozon tarifa të reja për Kinën

Beteja tregtare mes SHBA dhe Kinës bëhet gjithnjë e më e ashpër. Presidenti amerikan i ka kërkuar zyrtarëve të konsiderojnë tarifa të mëtejshme prej 100 miliardë dollarësh ndaj Kinës që do t’i shtohen atyre me vlerë prej 50 miliardë dollarësh të propozuara ndaj qindra produkteve kineze të importit.

Kërkesa vjen pas kërcënimeve të Kinës se do të vendoste tarifa ndaj 106 produkteve kyçe amerikane. Përshkallëzimi i tensioneve mes Pekinit dhe Uashingtonit ka trazuar tregjet elektronike gjatë javëve të fundit.


Analistet këmbëngulin se një luftë tregtare mes dy fuqive do të demtonte ekonominë globale, duke i kërkuar palëve të dialogojnë. Më herët gjatë vitit, Shtetet e Bashkuara kërcënuan të tarifonin me 25 për qind importet e çelikut dhe 10 për qind ato të aluminit.

Kina u përgjigj këtë muaj me tarifa shpaguese prej 3 miliardë dollarësh kundër një sërë produkteve amerikane, përfshirë mishin e derrit dhe verën.

Pekini tha se ishte i detyruar të mbronte interesat dhe prishjet e balancave të shkaktuara nga masat amerikane. Ndërkaq, javën e kaluar Uashingtoni publikoi detajet e propozimit të ri për të tarifuar edhe 1300 produkte të mëtejshme kineze me vlerë prej 50 miliardë dollarësh, siç tha, për shkak të praktikave të padrejta te Pekinit ndaj pronës intelektuale.

Edhe në këtë rast nuk vonoi reagimi i Kinës, e cila vuri në shënjestër 106 produkte të rëndësishme nga Shtete e Bashkuara me tarifa që kapnin të njëjtën vlerë prej 50 miliardë dollarësh.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë e cilësoi si të padrejtë kundërpërgjigjen e Pekinit. “Kina ka vendosur të dëmtojë fermerët dhe prodhuesit tanë. Kështu, përballë këtyre masave të padrejta kam udhëzuar zyrtarët e lartë të tregtisë të konsiderojnë nëse tarifat shtesë prej 100 miliardë dollarësh do të ishin të përshtatshme”, ishte komenti i Turmp. Ai tha gjithashtu se kishte kërkuar implementimin e një plani për mbrojtjen e interesave të fermerëve. /Telegrafi/