Trump lidh Serbinë me përpjekjet për të vjedhur zgjedhjet presidenciale në SHBA

Presidenti amerikan, Donald Trump të martën ndau në rrjetin personal social “Truth Social” një postim nga platforma X, në të cilin thuhet se Elon Musk pengoi manipulimin e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2024, duke bllokuar kompjuterët e kompanisë “Dominion Voting Systems” në Serbi.
Ai humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 për mandatin e dytë nga kandidati demokrat Joe Biden. Ai pretendonte se demokratët kishin vjedhur zgjedhjet, dhe këto pretendime kulmuan me sulmin e mbështetësve të tij në Kongresin amerikan më 6 janar të vitit 2021, shkruan N1.
Tani ai ka shpërndarë mesazhin e një besniku të tij me llogari të verifikuar, Johnny St. Pete, i cili në X publikoi informacione nga komentatori dhe kolumnisti konservator amerikan, Benny Johnson, që sipas tij, pronari i X-it, Elon Musk, shpëtoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 duke monitoruar IP adresat në vendet e huaja përmes të cilave numëroheshin votat dhe duke bllokuar kompjuterët e tyre.
“Musk e dinte se do të fitonte zgjedhjet dhe duket se kjo ndodhi sepse identifikuan sistemet dhe makineritë në vendet e huaja që do të bënin atë që pamë në 2020“, shkroi St. Pete në postimin që ndau edhe Trumpi, transmeton Telegrafi.
Ai shton se Musku ka ndjekur IP adresat e kompanisë “Dominion Voting Systems” në Serbi dhe i ka bllokuar kompjuterët disa ditë para zgjedhjeve të vitit 2024. Në postimin e tij, me të cilin duket se pajtohet edhe Trump, St. Pete i referohet Emerald Robinson, ish-korrespondente nga Shtëpia e Bardhë që ka punuar për disa media, përfshirë Newsmax, dhe tani është një nga teoricienet më të njohura të konspiracionit në SHBA.
🔥BOMBSHELL VIDEO. ELON MUSK MIGHT HAVE SAVED THE 2024 ELECTION FROM BEING STOLEN.
@bennyjohnson tells the story of how MUSK knew that they would win the election and it appears is because they IDENTIFIED the overseas systems & machines that were going to perpetrate what we… pic.twitter.com/rm7RC8kA9b
— Johnny St.Pete (@JohnMcCloy) November 30, 2025
Makineritë e votimit dhe lidhja me Serbinë
Konspiracionisti i dytë amerikan, Patrick M. Byrne, gjithashtu ka paraqitur teori mbi vjedhjen e votave përmes makinerive të numërimit të votave. Në një nga paditë që kompania “Dominion” i kishte ngritur atij në vitin 2021, thuhet se Byrne atë vit kishte postuar në blogun e tij se kishte ndodhur një sulm nga jashtë ndaj sistemit të votimit në shtetet Pensilvani, Michigan, Wisconsin, Arizona, Nevada dhe Georgia, me qëllim ndikimin e rezultatit të zgjedhjeve.
Duke iu referuar deklaratave të një zyrtari të lartë të sigurisë ushtarake, Byrne pretendonte se “Dominion Voting System” kontrollohet dhe zotërohet nga individë dhe kompani jashtë Amerikës dhe se kontrolli mbi të dhënat e këtyre makinerive humbet sapo ato largohen nga SHBA-ja.
Ai shtoi se informacionet elektronike nga makineritë e votimit dhe të numërimit të votave nga SHBA-të në zgjedhjet e vitit 2020 ishin dërguar në Gjermani, Barcelonë, Serbi dhe Kanada, ku ishte manipuluar me to dhe të dhënat e ndryshuara ktheheshin përsëri në SHBA.
Teoria më tej pretendonte se kompania “Dominion” korruptonte zyrtarët amerikanë përgjegjës për zgjedhjet dhe se makineritë prishnin dhe shkatërronin fletët e votimit për të fshehur mashtrimet e kryera elektronikisht jashtë vendit.
Kompania në padinë e saj ka deklaruar se të gjitha këto akuza janë të rreme dhe se Byrne kishte angazhuar njerëz për të krijuar “dëshmi” të rreme, të cilat i publikonte në blogun personal për të mbështetur pretendimet e tij.
Kush është Emerald Robinson?
1. It's time to explain exactly what happened on Election Day 2024 to stop the steal.
This will be a very long thread.
It involves quite a few people over 4 years.
A dozen sources.
We must begin just after the rigged 2020 election.
— Emerald Robinson ✝️ (@EmeraldRobinson) January 22, 2025
Pikërisht për shkak të përhapjes së teorive të konspiracionit rreth COVID-19, Newsmax e shkarkoi Emerald Robinson në vitin 2022. Ajo tani ka një program autorësie të quajtur “E Vërteta Absolute” në rrjetin televiziv Lindell TV, i cili reklamohen si një rrjet ku gazetaria udhëhiqet nga e vërteta dhe sfidon narrativat kryesore (mainstream). Në këtë televizion, këtë vit ka qenë i ftuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Robinson në llogarinë personale në X ka tentuar të shpjegojë se çfarë ndodhi gjatë zgjedhjeve të vitit 2024 dhe si supozohej të kryhej vjedhja e votave.
Sipas saj, Donald Trump në dhjetor të vitit 2020 kërkoi një hetim mbi pretendimet për vjedhjen e zgjedhjeve të mbajtura atë vit. Të dhënat e zbuluara, sipas fjalëve të saj, tregojnë se një rol kyç në mashtrimet elektorale e kishin makineritë e votimit dhe të numërimit të votave të kompanisë “Dominion Voting System” dhe softueri Smartmatic. E njëjta skemë, sipas pretendimeve të saj, u përdor edhe katër vjet më vonë.
Kompania nga Kanadaja, degë në Serbi
Kompania “Dominion Voting Systems” me seli në Toronto, Kanada, prodhon makineri për votim elektronik dhe pajisje optike për skanim që përdoren për numërimin e fletëve të votimit. Në zgjedhjet e vitit 2020, pajisjet e tyre u përdorën në 28 shtete amerikane, përfshirë edhe shtetet kyçe Wisconsin dhe Georgia.
“Dominion” ka degë për zhvillimin e softuerit në SHBA, Kanada dhe Serbi. Kompania është e pranishme në tregun serb që nga viti 2011.
Në mars të vitit 2024, në rrjetet sociale u publikuan 2000 faqe me email-e konfidenciale të punonjësve të kompanisë “Dominion”. Dokumentet u publikuan në llogarinë X me emrin dhe foton e sherifit Dara Lief, i cili ka udhëhequr hetimin për supozuarën vjedhje të zgjedhjeve në rrethin e tij në Michigan në vitin 2020.
Në rrjetet sociale u publikua edhe një letër e supozuar e sherifit, ku ai pretendonte se kishte prova “për shtetas të huaj nga Serbia që hynin në sistemin tonë zgjedhor ndërsa votat po numëroheshin dhe para certifikimit”. “Dominion” ka reaguar duke thënë se këto pretendime janë ksenofobike dhe se fakti që në kompanitë e tyre punojnë persona të kombësive të tjera nuk provon ndonjë vepër penale.
Faqja amerikane “Stolen Elections Facts” publikoi se “Dominion” ka hapur qendrën e të dhënave në Beograd përmes kompanisë serbe “Roaming Networks”, e njohur edhe si “Dot Networks”, e cila operon edhe në tregun amerikan.
Është interesante që klientët kryesorë të “Roaming Networks”: në Serbi janë kompani të mëdha shtetërore si Telekomi i Serbisë, EPS, Elektromrezha e Serbisë, por edhe Banka e Kinës, sipas portalit amerikan.
Pronari i “Roaming Networks” është Nenad Kovaq, i njohur edhe si Nesha Roming, për të cilin Forbes Serbia ka shkruar si për një nga përfaqësuesit e elitës së re të biznesit serb.
Ai themeloi firmën e parë personale “Roming: për shitjen e telefonave celularë që në vitin 2000. U bë i njohur për publikun kur u zbulua se qëndronte pas kompanisë që ishte pjesë e konsorciumit të cilit Bashkia e Beogradit ia dorëzoi në vitin 2010 shërbimin e tarifimit të transportit publik, i njohur si sistemi “Bus plus”.
Më vonë ai doli nga ai biznes, për të shtuar në portofolin e tij, përveç disa kompanive të tjera, edhe “Tehnomania”. /Telegrafi/

















































