Trump ka zemëruar Izraelin shkaku i bisedimeve me Hamasin - zbulohen detaje të telefonatës së tensionuar mes zyrtarëve të dyja vendeve

Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump u përpoq të fliste drejtpërdrejt me përfaqësuesit e grupit palestinez Hamas, duke irrituar zyrtarët e Izraelit.
Sipas mediumit Axios, këtë javë kanë biseduar një anëtar i lartë i ekipit të Trumpit, Adam Boehler, dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, Ron Dermer.
Telefonata ka filluar "në mënyrë të këndshme", por për shkak të vendimit të liderit amerikan për të biseduar drejtpërdrejt me Hamasin, marrëdhëniet janë përkeqësuar ndjeshëm dhe ajo ka përfunduar me shumë fjalë të rënda të cilat ata i kanë drejtuar njëri-tjetrit.
Telefonata ka ndodhur pasi Boehler, i cili ishte emëruar nga Trump si dërguar i posaçëm për çështjet e pengjeve, u takua në Katar me Khalil al-Hayyin, një nga anëtarët e rëndësishëm të krahut politik të Hamasit.

Temë e takimit ka qenë statusi i Evan Alexander, qytetar amerikan që ende ndodhet në Gazë. Përveç kësaj, ata kanë diskutuar edhe për trupat e katër amerikanëve që Hamasi i ka kapur në tetor të vitit 2023 dhe që kanë vdekur më vonë në Gazë.
Axios gjithashtu raporton se Boehler ofroi një marrëveshje më të gjerë me Hamasin, ku do të liroheshin të gjithë pengjet, do të krijohej një armëpushim afatgjatë dhe SHBA do të garantonin një dalje të sigurt nga Gaza për liderët politikë të këtij grupi.
Alternativa ndaj një marrëveshje të tillë do të ishte një pushtim i ri i Izraelit në enklavën palestineze, gjë që Boehler ia tha al-Hayyit.
Netanyahu ka shprehur shqetësimin përmes Dermerit që përfaqësuesit e SHBA-së kanë biseduar me Hamasin "pa miratimin e Izraelit" dhe për shkak të reagimit të drejtuesve izraelitë, Trump mund të "rishikojë qasjen amerikane" ndaj këtij konflikti. /Telegrafi/



















































