Trump anulon sulmet e planifikuara ndaj Iranit

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi në Uashington se është i gatshëm të ndalojë sulmet e reja amerikane ndaj Iranit, nëse negociatat e zhvilluara nga aleatët në Lindjen e Mesme çojnë shpejt në një marrëveshje kornizë për përfundimin e luftës.
"Në bazë të kësaj kërkese, kam pranuar ta anuloj sulmin, për të mirën e botës dhe njëkohësisht për mbijetesën e një Irani të suksesshëm dhe të begatë, me kusht që një marrëveshje të arrihet sa më shpejt", deklaroi Trump.
Më herët gjatë ditës, 80-vjeçari bëri të ditur se aleatët e SHBA-së në Lindjen e Mesme kanë arritur një marrëveshje paraprake për t'i dhënë fund konfliktit me Iranin. Sipas tij, kjo marrëveshje do të parashikonte "hapjen e menjëhershme, të plotë dhe totale të Ngushticës së Hormuzit, si dhe eliminimin e kërcënimit bërthamor iranian".
Trump shtoi se edhe Izraeli ka pranuar t'i bashkohet përpjekjeve amerikane për të finalizuar një marrëveshje me Iranin, e cila do t'i jepte fund luftës.
Deklarata e presidentit amerikan shënon një kthesë të rëndësishme në konflikt, pasi vetëm një ditë më parë ai kishte lënë të kuptohej se Shtetet e Bashkuara ishin pranë rifillimit të sulmeve të fuqishme ushtarake për ta detyruar Teheranin të rikthehej në tryezën e bisedimeve. Tashmë, ai thotë se operacionet ushtarake do të pezullohen, nëse negociatat përmbyllen shpejt dhe arrihet një marrëveshje përfundimtare.
Deri tani, Irani nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratave të presidentit amerikan, shkruan cnn.
Kujtojmë se SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit më 28 shkurt, duke hapur një konflikt që, sipas Trumpit, kishte për qëllim shkatërrimin e kapaciteteve raketore të Teheranit, pengimin e zhvillimit të armëve bërthamore dhe ndërprerjen e mbështetjes së Iranit për grupet e armatosura aleate. Megjithatë, gjatë muajve të fundit objektivat dhe afatet e luftës kanë ndryshuar disa herë, ndërsa armëpushimi i arritur në mesin e qershorit u shemb pas vetëm disa javësh.
Ndërkohë, Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, zhvilloi të shtunën një bisedë telefonike me Trumpin, gjatë së cilës shprehu shqetësimin për mundësinë e zgjerimit të përfshirjes ushtarake amerikane kundër Iranit. Sipas një burimi të njohur me bisedën, Riadi druhet se Teherani mund të hakmerret duke goditur infrastrukturën energjetike të Arabisë Saudite dhe të vendeve të tjera të Gjirit.
Po të shtunën, Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi paralajmërime të reja sigurie për qytetarët amerikanë në rajon, duke njoftuar se situata mund të shkaktojë anulime fluturimesh, mbyllje të përkohshme të hapësirës ajrore dhe pengesa të tjera në udhëtime. Paralajmërimet përfshijnë Bahrejnin, Izraelin, Irakun, Jordaninë, Kuvajtin, Libanin, Omanin, Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. /Telegrafi/







































