LAJMI I FUNDIT:

Trepça ’89 kthehet në ‘minierë’ futbollistësh, pesë lojtarë të shitur në gjashtë muajt e fundit

Trepça ’89 kthehet në ‘minierë’ futbollistësh, pesë lojtarë të shitur në gjashtë muajt e fundit

Bismark Charles Sie është futbollisti i fundit i transferuar nga Trepça ’89 drejt Evropës, duke arritur të nënshkruajë me CSKA Sofjen.

Klubi mitrovicas ka qenë një ‘minierë’ e vërtetë futbollistësh, teksa ka mbyllur me shumë sukses shumë transferimeve gjatë këtyre viteve të fundit.


Vetëm brenda dy edicioneve të fundit ‘minatorët’ kanë transferuar pesë futbollistë drejt Evropës.

Bismark është transferimi i pestë i “Minatorëve” për gjashtë muaj nga Kosova. Arb Manaj në Kecionrengucu FC në Turqi, Milot Avdyli te FC Aarau në Zvicër, Arlind Shabani te KF Struga në Maqedonin e Veriut dhe Traore Lassine në Osterlen FF në Suedi.

Presidenti i këtij klubi Abedin Zeka ka folur për marrëveshjet që ka nënshkruar klubi dhe negociatat e mbyllura me shumë sukses për secilin prej tyre.

“Është e vërtetë që brenda këtyre dy edicioneve të fundit kemi mbyllur transferimin e pesë futbollistëve. Klubi nuk ka përfituar ndonjë shumë të madhe parash, përveçse në rastin e Arb Manajt, me ç’rast kemi inkasuar 70 mijë euro dhe kemi ruajtur 25% të kartonit të tij. Jemi munduar që të bëjmë zgjidhje edhe për futbollistët, por edhe për klubin, pasi që nuk kemi dashur t’u pengojmë atyre në vazhdimin e karrierës“, ka thënë Zeka për Gazetën Sheshi.

I pari i klubit mitrovicas zbuloi edhe marrëveshjen e fundit që ka arritur me klubin bullgar CSKA Sofia për transferimin e futbollistit ganez Bismark Charles Sie.

“Nuk ka qenë ndonjë shifër e madhe, por duhet theksuar se gjithashtu kemi arritur ta ruajmë 20% të kartonit të tij. Transferimi është kompletuar me shumë sukses, ashtu siç kemi mbyllur edhe transferimet e tjera. Ne kemi gjithashtu edhe 50% të kartonit të futbollistit Milot Avdyli dhe 30% të Arlind Shabanit. Jemi në procedurë gjyqësore gjithashtu edhe për rastin e futbollistit Lassine Traore për të cilin shumë shpejtë do të mësoni më shumë gjëra, sepse jam i bindur që do ta fitojmë atë gjyq”, shtoi ndër të tjerash Zeka.

Ai gjithashtu foli edhe për skuadrën aktuale që ka, derisa pret që gjatë javës së ardhshme ekipit t’i bashkohen edhe dy futbollistë.

“Ne kemi qenë të dëmtuar në këtë afat kalimtar, pasi që merkato na është mbyllur dy ditë para se të përfundonte dhe atë pa asnjë paralajmërim. Ne kemi mbyllur marrëveshjet me dy futbollistë shumë cilësorë, të cilët do të vijnë gjatë javës së ardhshme”, përfundoi Zeka.