LAJMI I FUNDIT:

Tregu i telefonave të mençur shënon rënie në Kinë

Tregu i telefonave të mençur shënon rënie në Kinë

Sipas analistëve të Strategy Analytics, tregu kinez i telefonave të mençur është në recesion, ku tremujori i katërt i 2018-së është tremujori i pestë me radhë negativ.

Nga muaji tetor-dhjetor 2018, dërgesat ranë me 11 për qind në kuotën 108 milionë njësive, ku gjatë vitit 2018 janë dërguar 408.5 milionë telefona të mençur krahasuar me 459.6 milionë vitin 2017, pra një rënie me 11 për qind.


Ekspertët theksojnë ecurinë e mirë të kompanisë Huawei që zë pozitën udhëheqëse në treg dhe vështirësitë e Apple, e cila në tremujorin e katërt të 2018-së regjistroi rënie me 22 për qind. Në fillim të janarit, kompania amerikane rishikoi në ulje të ardhurave në këtë tremujor, duke theksuar ngadalësimin e kërkesës për iPhone, veçanërisht në Kinë.

Në bazë të të dhënave, nga muaji tetor deri në dhjetor, Huawei ka dërguar 30 milionë telefona të mençur, apo rreth 6 milionë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, duke zënë 27.8 për qind të tregut.

Gjatë gjithë vitit 2018, 25.7 për qind telefonave të mençur të shitur në Kinë janë të kompanisë Huawei, apo 105 milionë njësi, pasura nga Oppo me 22.4 milionë pajisje të shitura mes tetorit-dhjetorit 2018 dhe Vivo me 22.2 milionë njësi me një rritje prej 8.5 për qind.

Në vend të katërt, renditet Apple, që lë pas Xiaomi, por e mbyll tremujorin në rënie me 22 për qind, 10.9 milionë iPhone të shitur në 2018 krahasuar me 14 milionë njësi të shitura në tetor-dhjetor 2017. Në të njëjtën periudhë, shitjet e Xiaomi janë ulur nga 15.5 milionë në 10 milionë telefona të mençur.

“Apple ka qenë nën presion në tre muajt e fundit në Kinë, ku pati rënie në 8 nga 12 tremujorët e fundit. Betejat e vazhdueshme mbi patentat me Qualcomm janë një shpërqendrim, Apple është kritikuar ashpër për çmimet e larta”, deklaroi Linda Sui, drejtuese në Strategy Analytics. /Telegrafi/