LAJMI I FUNDIT:

Tre të arrestuar në Serbi, pasi vetura e tyre u ndesh në automjetin e Vuçiqit

Tre të arrestuar në Serbi, pasi vetura e tyre u ndesh në automjetin e Vuçiqit

Policia e Serbisë i ka arrestuar tre vetë, pasi vetura e tyre e ka qëlluar automobilin me të cilin udhëtonte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar ministri i brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq.

Stefanoviq i tha agjencisë shtetërore të lajmeve Tanjug, se automobili i tipit Bentley e kishte goditur makinën e Vuçiqit në një lagje në Beograd, dje në mëngjes.


Raportohet se Vuçiq i ka shpëtuar i paprekur kësaj ndeshjeje.

Ministri Stefanoviq tha se nuk ka indikacione ose dëshmi se cak i këtyre personave ishte presidenti Vuçiq.

E përditshmja beogradase, Politika, ka raportuar se të tre personat e arrestuar punonin si rojtarë në një diskotekë në Beograd dhe se kishin të kaluar kriminale.

Në tetor të vitit 2016, Vuçiq, atëherë kryeministër i Serbisë, ishte larguar në një “lokacion të sigurt”, pasi policia kishte zbuluar një bunker me armatim afër shtëpisë së tij familjare në periferi të Beogradit. Në atë kohë, autoritetet patën vlerësuar se kjo ishte “përgatitje për atentat”, por gjatë hetimeve nuk janë gjetur dëshmi për këtë vlerësim. /REL/